Palët e përfshira në negociatat për një armëpushim dhe lirimin e pengjeve në Rripin e Gazës kanë arritur “një marrëveshje në parim”, e cila “do të finalizohet nga Izraeli dhe Hamasi këtë javë, nëse gjithçka shkon mirë.
Media amerikane “CBS” duke cituar zyrtarë arabë, izraelitë dhe amerikanë raporton se nëse miratohen detajet përfundimtare, zbatimi i marrëveshjes mund të fillojë që në fundjavë.
Disa burime i thanë “CBS” se palët e përfshira në negociata tashmë kishin filluar përgatitjen e “deklaratave publike për suksesin” e procesit të negociatave, duke shtuar se “shpresa” për një marrëveshje ishte “e madhe”.
46 mijë njerëz kanë humbur jetën gjatë 15 muaj luftime në Gaza. Arritja e marrëveshjes së armëpushimit mund t’i japë fund dhunës në Rripin e Gazës, ndërsa komuniteti ndërkombëtar shpreson në një zgjidhje për lirimin e pengjeve izraelite.
Sipas burimeve diplomatike dhe mediave rajonale, marrëveshja do të ndahej në tre faza, me përfundimin e operacioneve ushtarake izraelite dhe lirimin e të burgosurve si objektivat kryesorë. Marrëveshja e mundshme është aktualisht duke u negociuar midis forcave izraelite, Hamasit dhe aktorëve të tjerë ndërkombëtarë, ndër të cilët spikat roli i Katarit, përfshin tre faza themelore.
Faza e parë përfshin një armëpushim 42-ditor dhe lirimin e 33 pengjeve izraelite në këmbim të lirimit të 50 të burgosurve palestinezë për çdo grua ushtare izraelite dhe 30 të burgosurve për çdo civil izraelit. Sipas raportimeve të gazetës izraelite “Israel Hayom”, Izraeli do të lirojë gjithsej rreth 1000 të burgosur palestinezë, duke përfshirë anëtarë të Hamasit dhe fraksioneve të tjera palestineze, por me “të drejtën e vetos” mbi identitetin e të burgosurve që do të lirohen.
Në të njëjtën kohë, faza e dytë dhe e tretë e planit parashikojnë përfundimin e operacioneve ushtarake izraelite në Rripin e Gazës dhe tërheqjen e forcave izraelite nga Korridori i Filadelfisë, në kufirin me Egjiptin, dhe nga boshti Netzarim, i cili ndan pjesën veriore të Rripit të Gazës nga pjesa tjetër e territorit. Marrëveshja synon gjithashtu të vendosë themelet për një kthim eventual të stabilitetit dhe kontrollit nga autoritetet palestineze mbi Gazën, megjithëse detajet e kësaj faze mbeten ende të pasigurta.
Pavarësisht progresit në negociata, familjet e pengjeve izraelite janë të shqetësuara se lirimi i plotë i pengjeve mund të mos ndodhë. Në një takim të fundit me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, familjet e pengjeve shprehën frikën se faza e dytë dhe e tretë e marrëveshjes nuk janë të garantuara. “Ne jemi shumë të shqetësuar se faza dy dhe tre mund të mos ndodhin kurrë,” tha Sharon Sharabi, vëllai i dy pengjeve, në një konferencë shtypi pas takimit. Familjet kërkuan që të merren masa të menjëhershme për të gjithë pengjet, duke mos e shtyrë zgjidhjen për të ardhmen.
Gjatë negociatave, teksa ishin afër përfundimit të mundshëm, sulmet nga forcat izraelite vazhduan, duke çuar në rritjen e tensionit. Sipas “Al Jazeera”, numri i sulmeve izraelite është rritur, me një sërë goditjesh ajrore që kanë shkaktuar vdekje të shumta dhe dëme materiale. Veçanërisht, sulmi në Deir el Balah vrau të paktën katër persona, dhe viktima të tjera u raportuan në qytetin e Gazës dhe zonat përreth. Pavarësisht negociatave në vazhdim, intensiteti i lartë i sulmeve ngre dyshime pozicionin e Izraelit për të ndalur operacionet ushtarake gjatë negociatave të armëpushimit. Zyra e Medias në Gaza ka lëshuar një alarm, duke i bërë thirrje popullatës të qëndrojë vigjilente dhe të shmangë uljen e vëmendjes, pasi sulmet historikisht rriten në momentet më kritike të negociatave.
Një nga aspektet thelbësore të marrëveshjes ka të bëjë me lirimin e të burgosurve palestinezë. Burime të shumta raportojnë se Izraeli mund të lirojë rreth një mijë të burgosur, duke përfshirë disa anëtarë të Hamasit dhe fraksioneve të tjera palestineze që u arrestuan pas sulmit të 7 tetorit 2023. Lirimi i të burgosurve ka qenë një nga kërkesat kryesore të Hamasit, me militantët që gjithashtu bënë thirrje për lirimin e të burgosurve “pesha të rënda”, duke përfshirë liderë historikë si Marwan Barghouti, i dënuar me burgim të përjetshëm për rolin e tij në Intifadën e parë dhe të dytë.
Megjithatë, pavarësisht afërsisë së marrëveshjes, “Israel Hayom” raporton se detajet përfundimtare ende nuk janë finalizuar, me Izraelin në pritje të konfirmimit të listës së të burgosurve që do të lirohen. Familjet e pengjeve izraelite, ndonëse të lehtësuar nga mundësia e një lirimi fillestar, kanë frikë se pengjet e tjera mund të mos përfshihen në shkëmbimin e ardhshëm.