Mëngjesin e sotëm, policia italiane ka vënë në pranga bosin e mafias kalabreze Ndrangheta, 29-vjeçarin Luigi Abbruzzese, i cili kërkohej intensivisht që nga viti 2015. Ai ishte përfshirë në listën e të kërkuarve më të rrezikshëm në Itali.
Abbruzzese i shpëtoi operacionit “Gentleman” në vitin 2015, që zbuloi se si klani “Cassano allo Jonio” dhe ai “Corigliano”, në Cosentino, arritën të hapnin një kanal të importit të drogës nga Amerika e Jugut dhe Shqipëria. Nga Amerika importohej kokainë, ndërsa nga Shqipëria marijuahanë dhe heroinë. Droga nga Shqipëria trafikohej përmes detit, apo edhe në rrugë tokësore, duke u fshehur në automjete.
Gjatë aksionit të 16 shkurtit 2015 që çoi në pranga 33 persona, mes tyre 9 shqiptarë.
Gjatë hetimeve, efektivët kapën 33 ton heroinë dhe kokainë, dhe dhjetëra kallashnikovë. Gjithashtu u sekuestruan pronat me vlerë rreth 50 milion euro.