Policia e Tiranës ka arrestuar ditën e djeshme një efektiv të RENEA-s. Sipas njoftimit të policisë, gjatë momentin të ndalimit nga policia, efektivi po udhëtonte në automjet me një person të dyshuar, ku u gjetën dhe një shumë e konsiderueshme parash, ndërsa akuzohet dhe për shpërdorim detyre.
“Mesditën e sotme, falë inteligjencës informative se një shtetas (punonjës police), qarkullonte me automjet tip “Audi” dhe kishte me vete sasi të konsiderueshme parash, menjëherë shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Fast”.
Në kuadër të këtij operacioni, te Kodra e Diellit, shërbimet e Forcës së Posaçme Shqiponja kanë konstatuar dhe shoqëruar në ambientet e DVP Tiranë automjetin e dyshuar së bashku me drejtuesin e tij shtetasin A. M., 43 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë Shef i Stërvitjes te Reparti Special RENEA. Gjatë kontrollit dhe kryerjes së automjetit rezultoi se në serdiljen e pasagjerit, në vendin e parë të automjetit, ndodhej një qese plasmasi brenda të cilës kishte lekë, euro dhe paund.
Nga numërimi rezultoi se në qesen e plasmasit kishte rreth 113 mijë euro, rreth 290.00 lekë të rinj dhe 80 paund, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Në përfundim të veprimeve të para hetimore të kryera nga strukturat hetimore të DVP Tiranë u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. M., dhe materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprime të mëtejshme për vepra penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Shpërdorimi i detyrës””, thuhet në njoftimin e policisë.
Dalin të tjera detaje nga masakra e Dan Hutrës
Ndërkohë detaje tronditëse janë zbardhur në lidhje me masakrën në Tiranë, ku Dan Hutra vrau motrën e ish-bashkëjetueses dhe kunatën e saj dhe plagosi shtetasen me iniciale E.H., dhe nënën e saj. Ish-bashkëjetuesja e tij, me iniciale E.H., ka folur ekskluzivisht nga shtrati i spitalit për mediat. Ajo tha se Hutra sapo kishte shkuar në banesën e saj kishte qëlluar motrën dhe kunatën, ndërsa atë e kishte goditur me thikë në faqe. Ajo tha mes të tjerash se Hutra donte të qëllonte dhe djalin.
“Ka qenë aty, e kam parë që ka shkrepur armën drejt meje, pastaj në ato momente ka dalë mami para meje, të më mbronte. E kam shtyrë dhe i dola para mamit. Mbaj mend që na ka sharë, llafe të ndryshme dhe na ka gjuajtur me armë. Donte të qëllonte djalin…e kisha në krah djalin. E kam kapur prej krahu dhe e çova nga dhoma tjetër. Ka ikur me vrap. Më qëlloi me thikë sapo ka hyrë brenda, më qëlloi në faqe. Do ju vras të gjithë tha ai.”, është shprehur ajo.
Bum arrestimesh në vend
Nga ana tjetër, Policia ka arrestuar dje dy vëllezër në Kukës, pasi ata kanë goditur dy mjekë të spitalit për shkak të detyrës. Për pasojë, në pranga ka rënë 31 vjeçari i identifikuar si I.V dhe është shpallur në kërkim, vëllai i tij H.V 41 vjeç. Sakaq, një 27-vjeçar është arrestuar dje në Tepelenë, pasi ka shantazhuar dy vajza të mitura.
Mësohet se i riu u ka kërkuar para një 15 dhe 17-vjeçareve, në mënyrë që të mos u publikonte foto dhe video intime. Ai akuzohet për veprën penale të kanosjes si dhe shantazhit. Ndërkaq, shtatë persona janë arrestuar dje në Tiranë për vepra të ndryshme penale. Mësohet se dy persona janë arrestuar pasi kanë dhunuar partneret e tyre. Katër persona janë arrestuar pasi u kapën duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur. Po ashtu është vënë në pranga dhe një 46-vjeçar, i cili ka aksidentuar një makinë tjetër në rrugën e Arbrit.