Pas 16 vitesh në arrati, Policia e Kosovës ka vendosur në pranga Ilir Abdullahun, i cili akuzohet se është autori i vrasjes së efektivit Triumf Riza. Autori, i njohur me pseudonimin ‘Liza’ u kap këtë të diel rreth orës 17:00 në Batllavë të Podujevës, ndërsa ishte në “top list-ën” e të kërkuarve të ‘bluve’ të Kosovës.
“Arrestimi i tij është kryer, pas bashkëpunimit dhe koordinimit të njësiteve të ndryshme policore, përfshirë sektorin e narkotikëve të cilët kanë asistuar deri në arrestimin e tij. Të gjitha veprimet e mëtejme policore, do të realizohen në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë,”- thuhet në njoftim.
Vrasja ndodhi në 30 gusht të vitit 2007, e mori vëmendjen e të gjitha mediave edhe për shkak se viktima ishte i dashuri i këngëtares së njohur, Adelina Ismajli. Po ashtu, u aludua se shkak për përplasjen që më pas solli edhe vrasjen, ishte pikërisht këngëtarja.
Triumf Riza u ekzekutua me 11 plumba nga Arben Berisha, i cili njihet si bashkëpunëtor i afërt i biznesmenit Enver Sekiraqës. Pas ngjarjes së rëndë këngëtarja Ismajli i kushtoi edhe një këngë policit Riza me titullin “Trimit Tim”.