Edi Rama ka shpërthyer sot në Prishtinë kundër Gjykatës Speciale në Hagë, që është ngritur për të gjykuar krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Ai e ka cilësuar Prokurorinë Speciale si një “prokurori idiotësh”, duke akuzuar se ata janë kthyer në instrumente politike, më keq se sa prokuroritë e Serbisë.
Rama deklaroi se nëse Perëndimi nuk e kalon këtë “test”, duke mos lejuar, sipas tij, “varrosjen për së gjalli të katër njerëzve të pafajshëm”, atëherë kjo do të përbënte një problem të madh jo vetëm për Kosovën, por edhe për vetë besueshmërinë e vendeve perëndimore.
Rama shtoi se nëse ish-udhëheqësit e UÇK-së dënohen ashtu siç thotë edhe Prokuroria, sipas të njëjtës logjikë, duhen arrestuar edhe figurat perëndimore që mbështetën ndërhyrjen e NATO-s për të çliruar Kosovën, Bill Clinton, Havijer Solana, Tony Blair, etj.
Rama: Nëse sot perëndimi nuk e kalon këtë test dhe merr përsipër varrosjen për së gjalli të 4 njerëzve të pafajshëm duke lënduar popullin dhe republikën e Kosovës ky mbetet një problem i madh.
Nuk di të them shumë fjalë, por di të them që është një peng marrje për arsye politike, jo të perëndimit si i tërë, por të atyre forcave që kanë dashur të barazojnë dy gjera që nuk barazohen dot: dhunën etnike të një makinerie lufte tërësisht fashiste dhe luftën çlirimtare të një ushtrie, e cila emrin e ka pasur Ushtri, por në fakt ka qenë një mobilizim popullor, ku ata të cilët janë trajtuar si komandat të një force të rregullt kanë qenë udhëheqësit shpirtëror, moral dhe politik të këtij mobilizimi.
Mbi të gjitha ka diçka që është ende më e rëndë. Për perëndimin flas, nëse Hashim Thaçi, Kadri Vaseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi duhet të varrosen për së gjalli për luftën dhe për cfarë ka ndodhur përgjatë luftës në Kosovë, atëherë duhet të vazhdojnë arrestimet. Duhet të arrestohet Bill Clinton, Havijer Solana, Tony Blair nuk diskutohet, kryeministrat e tjerë që i dhanë dritën jeshile bombardimeve dhe duhet të ndodhi ekzaktësisht ajo që ka predikuar Slobodan Milosevic, që edhe ai bashkë me atë tjetrin, zviceranin mos gjejnë kurrë preje aty ku është, të dy bashkë atje.






