Pas analizës në disa prokurori të rretheve, sot kryeprokurorja Arta Marku ka mbërritur në Prokurorinë e Krimeve të Rënda.
Kreu i organit të akuzës shoqërohet në këtë analizë nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ardi Veliu, përfaqësuesi i ambasadës amerikane, prokurori shqiptaro-amerikan, Gjon Juncaj.
Prokuroria e Krimeve të Rënda ka në dorë disa dosje voluminoze për korrupsion dhe krimin e organizuar, të të ashtuquajturve “peshqit e mëdhenj”.
Në këto dy javë, Arta Marku ka trokitur në dyert e disa prokurorive të rretheve dhe pas kësaj analize, ka pasur operacione masive nga prokuroria dhe policia si në Elbasan, Vlorë apo dhe Durrës.
Mbetet për t’u parë nëse do ketë “shkundje” të Prokurorisë së Krimeve të Rënda pas kësaj vizite të Arta Markut e shoqëruar edhe nga përfaqësues të ambasadës amerikane në Tiranë.