Prokurorja e Përgjithshme Arta Marku, gjatë seancës dëgjimore me Këshillin e Lartë të Prokurorisë u pyet edhe për një takim të përfolur mes saj dhe kryeministrit Edi Rama në kohën kur opozita protestonte dhe disa prej tyre degjeneruan edhe në dhunë.
Marku pranoi se ka pasur takime me Ramën në kohën që opozita protestonte, pra sipas saj është takuar për situatën emergjente.
“Takim me kryeministrin nuk kam bërë vetëm një, por disa. Kryeministri drejton disa komisione ku unë jam pjesë. Është e vërtetë, s’ka pasur një takim. Por ju i referoheshit një takimi të fundit që është bërë kur opozita ishte në protesta dhe pati shumë probleme, disa degjeneruan në dhunë dhe kjo ka qenë arsyeja jo vetëm me mua por edhe me drejtorin e SHISH, ministrin e Brendshëm, drejtuesit që ishin aktorë që trajtonin çështjet që lindnin nga dhuna e ushtruar në këto protesta prandaj nuk ka qenë takim raportues se s’ka një marrëdhenie të tillë mes ekzekutivit dhe prokurorisë ka qenë një takim pune për shkak të situatës emergjente që po kalonte vendi dhe ne të gjithë e kemi parë e ndjekur nga afër”, tha Marku.