Ish Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve pritet të kërkojë dëmshpërblim për qëndrimin 1 vit e 9 muaj prapa hekurave. Gjykata e Apelit shpalli të pafajshëm ditën e djeshme Artur Zoto, dhe pak orë pas vendimit ai la qelinë. Në sallën e gjyqit ishin vetëm familjarë të tij, ndërsa Zoto përfaqësohej nga avokati i tij, Ardian Leka.
“Ajo gjë nuk ka ndodhur asnjë herë. Ju keni dëshminë e Labit që thotë se ka folur në telefon me Zoton dhe as kjo nuk ka ndodhur. Gjykata e Shkallës së Parë u vu nën presion, ndërsa Gjykata e Apelit e shqyrtoi me vëmendje”, citon Panorama. Dosja hetimore për Zoton është drejtuar nga prokurorja Elisabeta Imeraj, e cila është komanduar së fundmi në krye të Prokurorisë së Tiranës. Ajo kërkoi pesë vjet burg për Zoton. Sipas dosjes së Prokurorisë së Krimeve të Rënda, shkelja në tenderë është konstatuar në vitin 2016, kur Drejtoria e Burgjeve shpalli një tender të mbyllur për furnizimin me vezë dhe bulmet të institucioneve të vuajtjes së dënimit. Në këtë tender pa shpallje, tre konkurrentët binin dakord mes tyre për fituesin dhe ofertat.
Kështu ndodhi edhe në këtë rast, ku fituesi ishte paracaktuar. Konkretisht, administratorët e kompanive “Dogel”, “Vllaznia”, “M. B. Kurti” dhe “Nelsa”, konkretisht, shtetasit Elidjan Laskaj, Ylber Kalaja, Shemsi Sinani e Nexhmi Balla, bënin marrëveshje për të kryer konkurrim fiktiv në tenderët e zhvilluara nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, për furnizimin me ushqime.