Nuk ka dilema. Gjyqtarët dhe prokurorët që kanë dhënë dhe që mund të japin dorëheqjen për t’i shpëtuar skanerit të trefishtë të Vetingut, do të bien në grackën e organeve të SPAK-ut, përkatësisht Byrosë Kombëtare të Hetimit, Prokurorisë së Posaçme dhe Gjykatave Speciale.
Njerëzit që janë apo që kanë shërbyer në nivele të larta të drejtësisë, me anë të vetëlargimit nga sistemi, i shpëtojnë procesit të Vetingut, i cili si mision final ka largimin e elementeve të korruptuar nga sistemi, por ata nuk kanë asnjë mundësi dhe hapësirë për t’i shpëtuar veprimit të SPAK-ut, gjithnjë nëse janë implikuar në veprimtari të paligjshme. Kushtetuta e re e ka ndarë në mënyrë radikale Vetingun nga SPAK-u.
Madje, Kushtetuta e ndryshuar në korrik të vitit 2016, në pikën 2 të nenit ‘DH’ ndalon përdorimin e provave të gjetura gjatë procesit të Vetingut në një proces penal ndaj gjyqtarit apo prokurorit. I gjithë procesi i Vetingut është ndërtuar vetëm për një qëllim: Identifikimin dhe largimit nga sistemi të gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar, pa asnjë pasojë penale.
Për ndëshkimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar janë parashikuar organet e SPAK-ut, të cilat do të veprojnë të pavarura nga Vetingu, ndonëse mund të marrin indicie për të nisur hetime. Por jo të gjitha njerëzit e drejtësisë, që japin apo nuk japin dorëheqjen, do të jenë objekt i organeve të SPAK-ut.
Në shënjestër të Byrosë Kombëtare të Hetimit, Prokurorisë së Posaçme dhe Gjykatave Speciale do të jenë vetëm anëtarët dhe ish-anëtarët Gjykatës së Lartë, anëtarët dhe ish-anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, kryeprokurori dhe ish-kryeprokurori, anëtarët e Këshillit të Lartë Gjyqësor, anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Inspektori i Lartë të Drejtësisë.
Konkretisht, ish-kryeprokurori Adriatik Llalla, ish-anëtarja e Gjykatës së Lartë, Mirela Fana dhe ish-anëtarët e Gjykatës Kushtetuese Vladimir Kristo dhe Bensik Imeraj janë në kompetencë të SPAK-ut për t’u hetuar, gjithnjë nëse kanë bërë shkelje. Ndërkaq, gjyqtarët dhe prokurorët në nivele më të ulëta, pavarësisht nëse japin dorëheqjen apo jo, do të gjykohen nga prokuroritë dhe gjykatat e zakonshme.
Veprat penale
Byroja Kombëtare e Hetimit dhe Prokuroria Speciale hetojnë çdo veprimtari me pasoja penale të zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të lartë, duke përfshirë edhe njerëzit e drejtësisë në organet me të larta të sistemit. Në fokus të SPAK-ut janë rreth 15 vepra penale në fushën e korrupsionit. Ndërkaq, organet e SPAK-ut, ku përfshihen Byroja e Hetimit, Prokuroria e Posaçme dhe Gjykata Speciale, do të kenë në kompetencë rreth 40 vepra penale, të kryer nga çdo kategori shoqërore./Shqiptarja