Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj e thotë me bindje të plotë se krimi po humbet terren çdo ditë e më shumë në Shqipëri.
“Grupet kriminale janë goditur kudo,në çdo qytet: Tiranë, Vlorë, Shkodër, kudo!”, theksoi ministri i brendshëm në emisionin Opinion.
Sa i përket atentatit ndaj prokurorit, ministri tha se nuk dinte shumë detaje për këtë ngjarje pasi nuk ishte drejtues policie.
“Ne ende nuk e dimë, sepse këtë do ta dijë prokuroria kur të konkludojë, nëse është goditur si prokuror apo si individ.
Ka një lajm shumë të madh, fakti që policia e shtetit arriti në një kohë rekord që identifikojë një nga autorët e këtij krimit me prova të pakundërshtueshme”, tha Lleshaj.
Kujtojmë se Redjan Rraja, është i arrestuari i vetëm për atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoja dhe ku humbi jetën shoferi i tij Andi Maloku dhe u plagos Pëllumb Muharremi.