Prokuroria e Krimeve të Rënda pritet të marrë në pyetje edhe gazetarin Jetmir Olldashi, i cili doli në një konferencë për shtyp, duke marrë përsipër investigimin mbi Agron Xhafajn.
Ky veprim i organit të akuzës bëhët për të siguruar autenticitetin e pajisjes përgjuese, që Olldashi kishte pajisur më herët të ashtuquajturin dëshmitarin X të PD-së, Albert Veliun, raporton ABCnews. Olldashi pranon që ai nuk ka qenë prezent në bisedën mes Veliut dhe Agron Xhafajt, bisedë i cili pretendon se është bërë në një lokal përballë atij ku ishte ulur gazetari. Olldashi pohoi gjithashtu se këtë përgjim e kishte kryer në kuadër të një investigimi gazetaresk, por pajisja përgjuese orgjinale nuk disponohet ende nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.
Vetë gazetari investigativ duhet të sqarojë përpara prokurorit të çështjes, Përparim Kulluri se kujt ia kishte blerë 20 kg marijuanë duke qënë i pranishëm edhe Albert Veliu. Më pas pretendohet se këtë sasi të lëndës narkotike, dëshmitari X do ta trafikonte në Itali nëpërmjet Agron Xhafajt, ndërsa paratë ishin marrë borxh.
Për këto publikime të bëra nga Partia Demokratike, kjo e fundit kërkoi edhe largimin nga detyra të ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, pasi kishte dyshime që Agron Xhafaj, vëllai i ministrit të ishte pjesë trafikut të drogës nga Vlora drejt Italisë. I gjendur përballë një kërkese të tillë, Xhafaj i quajti të gjitha pretendimet e PD-së, si sajesa dixhitale.