Nëse do të ketë drejtësi për 21 Janarin, ajo do të jetë meritë e familjes Nika, falë kontributit të kësaj familjeje për ta çuar çështjen në Gjykatën e Strasburgut dhe për të sjellë vendimin që detyron drejtësinë shqiptare ta rishqyrtojë çështjen. Ish-prokurori Eugen Beci thotë se kjo familje fitoi kundër të gjithëve, e mundi shtetin dhe pafuqinë apo mungesën e vullnetit të institucioneve shtetërore për të bërë atë që bëri një familje e vetme: të siguronte vendimin e Gjykatës së Strasburgut.
Duke komentuar zhvillimin më të fundit, paraqitjen në SPAK të audiopërgjimit për 21 Janarin, Beci flet për kompleksitetin e çështjes dhe sfidat e SPAK për ta çuar atë deri në fund. Ai flet për politikën dhe rolin e saj në këto 15 vite, sipas tij në kundërshtim me zbardhjen e çështjes dhe jo në funksion të saj.
Aleks Nika ishte një ndër katër të vrarët në bulevard në protestën e opozitës së kohës më 21 janar 2011. Vrasja shtetërore nuk u gjykua në përmasat e saj të krimit dhe gjykatat shqiptare dështuan të bënin drejtësi për katër viktimat. Në këto kushte, familja e Aleks Nikës nisi betejën në Strasburg, një hap shumë i rëndësishëm për të shkuar drejt një vendimi për drejtësi. Për ngjarjen e 21 Janarit akuzohet ish-kryeministri Sali Berisha si urdhërues i këtyre vrasjeve, bashkë me zyrtarë të tjerë të institucioneve shtetërore të asaj kohe.






