Në janar të vitit 2014, Këshilli Drejtues i RTSH, ka miratuar një vendim, i cili parashikon që drejtori i RTSH nuk duhet të përfitojë honorare për angazhime në projekte filmike apo artistike në RTSH. Vendimi i Këshillit Drejtues të RTSH ndalon drejtorin e RTSH të përfitojë të ardhura të tjera nga institucioni që drejton, përveç pagës.
Çfarë ka ndodhur? Në dhjetor të vitit 2024, në llogarinë e pagës së drejtores së komanduar të RTSH, Aurora Polo, kanë kaluar rreth 5 milionë lekë të vjetra, ndërkohë që paga e saj është rreth 2 milionë lekë në muaj.
Nga verifikimet rezulton e provuar se Aurora Polo, në kundërshtim me vendimin e Këshillit Drejtues të RTSH të vitit 2014, ka përfituar 3 milionë lekë në dhjetor 2024 si shpërblim si drejtore e Festivalit të RTSH-së. Pagesa e kundraligjshme konfirmohet nga ky dokument i siguruar nga Prapaskena.
Ndërkaq, Aurora Polo, jo vetëm nuk plotëson kriteret ligjore për drejtuese të RTSH, por ka paraqitur dokumente të falsifikuara pranë Këshillit Drejtues në ‘garën’ për drejtimin e RTSH. Zonja Polo ka paraqitur një dokument pranë Këshillit Drejtues, sipas të cilit ajo nuk është në konflikt interesi dhe nuk ushtron veprimtari të tjera fitimprurëse. Por në QKR zonja Polo rezulton biznesmene.
Polo ka mashtruar Këshillin Drejtues të RTSH si kur është zgjedhur zv/drejtore e RTSH, ashtu edhe kur ka aplikuar për pozicionin e drejtorit të RTSH, duke paraqitur dokumentacion të rremë.
Aurora Polo, duke shpërdoruar detyrën, ka emëruar në RTSH edhe tre shoqe të ngushta të vajzës së saj, njëra nga të cilat Klaudja Murataj, të cilën e ka caktuar për dhënien e motit në RTSH.
Aurora Polo dhe paraardhësi i saj kanë vendosur buxhetin e RTSH në dispozicion të anëtarëve të Këshillit Drejtues, duke u dhënë projekte dhe punësuar familjarët në konflikt flageant interesi dhe në formë korruptive.
Dionis Papadhimitri ka futur duart në buxhetin e RTSH. Sipas një raporti të KLSH, Papadhimitri ka përfituar 30 milionë lekë nga RTSH në mënyrë të kundraligjshme. Papadhimitri, i cili mbështet Polon, duhet t’i kthejë paratë në arkën e RTSH.
Përmes një shkresë të firmosur nga ish-drejtori Alfred Peza, Gëzim Podgorica së bashku me Ilir Kekon, një tjetër anëtar i Këshillit Drejtues, shprehin interesin për realizimin e një dokumentari për babain e këtij të fundit, Endri Keko. Po sipas këtij dokumenti Drejtori i Përgjithshëm ofron të gjithë mbështetjen e nevojshme për realizimin e dokumentarit.
Qokat ndaj këtyre dy anëtarëve të Këshillit nuk mbarojnë këtu. Podgorica dhe Keko kanë qenë dy herë pjesë e delegacioneve të Festivalit Europian të Këngës. Duke mos patur asnjë lidhje me muzikën ata “shëtisin” me paratë e taksapaguesve dhe zënë vendin emrave me kontribut ndër vite në Festivalet e RTSH, si Irma Libohova, Luan Zhegu, Elton Deda, Shpëtim Saraçi e shumë të tjerë.
Anëtarët e Këshillit nuk kanë asnjë lidhje me muzikën, por kanë secili nga një votë dhe duhet të ngrenë dorën sa herë ti duhet Drejtorit, ndaj për këtë i meritojnë disa “dhurata” të vogla.
Gëzim Podgorica, nga ana e tjetër, është koordinator i Agjencisë Mediatike kineze SEHORA në Tiranë. Paguhet nga qeveria kineze me një pagë 7 mijë euro në muaj.
Edmond Tullumani është gjithashtu në konflikt interesi. Dhëndri i tij Elton Metaj është emëruar nga Aurora Polo shef kabineti i drejtorit të RTSH. Vajza e Tullumanit, Romana Tullumani, u caktua nga Polo pjesë e jurisë së Festivalit të 63 të RTSH.
Milena Selimi ka gjithashtu interesa familjare. Vajza e saj Alesia Burnazi ka marrë projekt në radio nga Aurora Polo. Pra, nënë e bijë marrin para publike në të njëjtin institucion.
Ëngjëll Ndocaj përdor infrastrukturën e RTSH për të bërë emisione si dhe merr para për transmetimin në RTSH të emisioneve të tij mediokre. Një emision në RTSH është bërë edhe për babanë e tij Filip Ndocajn.
Albert Minga është gjithashtu i zhytur në batakun e interesave të RTSH. Vajza e tij Aulona Minga ka marrë projekt në RTSH. Babë e bijë, në konflikt flagrant interesi, marrin para publike.