Pas 2 fletë-thirrjeve të lëshuara për të, Sali Berisha duhet të paraqitet të premten në SPAK për krimin shtetëror të 21 janarit 2011, ku gjatë një proteste të përqëndruar para kryeministrisë, 4 persona u vranë nga plumbat e shtetit.
I ftuar në emisionin “Frontline” me Marsela Karapançon në Report Tv, avokati Idajet Beqiri e cilësoi absurde që përgjegjësi kryesor i asaj masakre, Sali Berisha, të thirret nga drejtësia afro 15 vite me vonesë.
“Me të drejtë publiku është i tronditur, kujton, në çfarë situate jeton, dhe megjithëse janë taksapagues të rregullt dhe i paguajnë njerëzit e të gjitha pushteteve dhe veçanërisht të gjyqësorit, por ata alarmohen të vriten në bulevard 4 qytetarë vetëm se protestojnë për liritë dhe të drejtat e njeriut, protestojnë kundër korrupsionit. Të protestosh për këto dhe qeveria të vrasë, kryeministri të urdhërojë vrasjen e protestuesve, siç u vranë 4 persona dhe u plagosën rëndë 137 të tjerë, të cilët konsiderohen si tentativë vrasje, e thirrur pas 15 vjetësh, kjo është absurde”,- tha Beqiri.
Avokati thotë se rrethanat e masakrës së 21 janarit japin të çojnë në përfundimin se kemi të bëjmë me veprime të paramenduara dhe të organizuara nga Berisha.
“Ishte pikërisht ky njeriu që urdhëroi vrasjen e 4 protestuesve, kishte nënshkruar vrasjen e tyre, jo vetëm vrasjen, me mënyrën si kishte organizuar mbrojtjen e kryeministrisë, duke vendosur 4 snajperë. Që ishte e planifikuar prej tij e treguan të gjitha veprimet e mëpasshme të tij”,- tha Beqiri.
Më tej ai tha se Berisha kishte urdhëruar arrestimin e të gjithë protestuesve të plagosur që paraqiteshin në spitalet e vendit për të marrë ndihmë mjekësore. Shumë prej tyre, thotë Beqiri, zgjodhën të largoheshin drejt vendeve fqinje për të marrë mjekim. Sipas tij, ka dëshmi të mjekëve që vërtetojnë këtë informacion.
“Ishte e organizuar dhe se kushdo vritej dhe se ishin të shënjestruar edhe të tjerë që faktikisht kanë mbetur të plagosur por që janë arrestuar jashtë shteti, pasi policia e Berishës dha urdhër që kushdo që do të vinte në spital nga të plagosurit do të arrestohej. Ka dëshmi të mjekëve që tregojnë se i kanë mjekur ilegalisht dhe i kanë nxjerrë ilegalisht nga spitali se do të arrestoheshin. Edhe Sokrat Godi është planifikuar të vritej. Ai është thirrur dhe ka dhënë deklarimet e veta. Deklarimet e tij janë vërtet rrëqethëse. Kryetari i SHIK-ut në Berat, ku ishte i dalluar (Sokrati), vëllai i këtij kryetari të SHIK-ut është Andrea Prendi. Dihej me fotografi dhe të tjerë dhe ai u qëllua në protestë me snajper”,- tha Beqiri.
Avokati hedh poshtë lajmin se Berisha është thirrur nga SPAK për 21 janarin si person që ka dijeni. Ai thekson se ish-kryeministri është i kallëzuar penalisht për rolin e tij në 4 vrasjet shtetërore dhe se po hetohet drejtpërdrejt për këtë çështje.
“Jo rastësisht, është kallëzuar penalisht madje dhe Lulzim Basha si organizues, si frymëzues i këtyre vrasjeve. Ai do të vijë si person që faktikisht po hetohet dhe po hetohet. Ai do të hapë versionin e tij, do të pyetet nga SPAK. Çështja është drejt fundit”,- tha Beqiri.






