Mbyllja e hetimeve nga Gjykata e Tiranës për kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka shkaktuar shumë debate në sferën politike. Nga njëra ana PD shprehet se Basha është i pafajshëm dhe PS nuk ka prova. Sakaq PS nga ana tjetër ka publikuar dje provat sa i takon kësaj çështjeje.
Avokati Spartak Ngjela në një reagim për gazetën “SOT”, ka deklaruar se kjo çështje nuk ka aspak vlerë, pasi dosja e Bashës për lobimin rus në SHBA do t’i kalojë Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion. Kushtetua ka vijuar Ngjela, po ashtu edhe ligjet e reja, dëshmojnë se të gjitha dosjet që janë të një niveli të lartë të korrupsionit në politik, do hapen sërish.
“Mbyllja e hetimeve për Lulzim Bashën nuk ka ndonjë vlerë sepse do të kalojë në SPAK. E kërkon ligji, sepse Kushtetuta dhe ligjet e reja janë që të gjitha dosjet për korrupsion të niveleve të larta të politikës të rihapen, madje edhe e Metës. Pastaj kjo ka një koleksion, një lidhje kjo e Bashës sepse çështja penale është e hapur dhe po hetohet edhe jashtë Shqipërisë”, ka deklaruar Ngjela.
Ndër të tjera Ngjela deklaroi për gazetën “SOT”, se fakti që SPAK nuk mund të korruptohet dhe është e sigurt që do të japë gjykime të drejta, qëndron se është i drejtuar nga ndërkombëtarët. “SPAK do japë vetëm gjykime të drejta sepse nuk drejtohet nga shqiptarët por nga ndërkombëtarët. Shqiptarët vetëm hedhin format dhe janë në kontroll të rreptë në funksion të provës, nga optika ndërkombëtare e sidomos nga ajo amerikane. Në Shqipëri do vijnë rreth 300 hetues nga FBI dhe FBI nuk e blejnë dot këta. Këto janë shpresa fëmijërore të politikanëve tanë. Basha i ka shpëtuar drejtësisë disa herë sepse kjo që është nuk është drejtësi, por një komplomerat korrupsioni. Të gjitha dosjet që janë mbyllur për të tërë politikanët në funksion të korrupsionit do hapen nga SPAK-u. Do vijë së shpejti ambasadorja e re amerikane dhe ia shpjegon ajo të gjitha”, ka thënë mes të tjerash avokati Spartak Ngjela.