Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, ka informuar Kryetaren e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj se asnjë gjyqtar kushtetues nuk është vendosur nën hetim.
Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj, më 24 shkurt, bëri të ditur se institucioni që drejton i ishte drejtuar Prokurorisë së Posaçme me një kërkesë për informacion, për të sqaruar pretendimet e ngritura publikisht nga eksperti Karamuço.
Sot kreu i SPAK, Altin Dumani, iu përgjigj kësaj kërkese, duke theksuar se, në përputhje me kuadrin ligjor, Prokuroria e Posaçme “nuk mund të ndajë me institucione apo palë të treta informacion mbi ekzistencën ose mosekzistencën e një procedimi penal, nëse ato nuk janë subjekte të tij.”
Megjithatë, në përgjigjen drejtuar Zaçajt, Dumani konfirmon se “në Prokurorinë e Posaçme nuk është depozituar asnjë kallëzim penal ndaj ndonjë anëtari të Gjykatës Kushtetuese dhe asnjë prej tyre nuk ka statusin e ‘personit nën hetim’”.
Më tej, duke iu referuar neneve 126 dhe 137 të Kushtetutës, Dumani sqaroi se SPAK nuk ka kompetencë për të shqyrtuar vendimet e gjyqtarëve në çështje të caktuara, qoftë në gjykatat e zakonshme apo në Gjykatën Kushtetuese. Por, ai thekson se, bazuar në nenin 148 të Kushtetutës dhe Kodin e Procedurës Penale, SPAK ka juridiksionin për të ndjekur penalisht sjelljet jashtëgjyqësore të gjyqtarëve të çdo niveli, nëse ka dyshime për vepra si “korrupsioni pasiv” apo të tjera vepra penale.
Në shkresën e SPAK nënvizohet fakti se nuk ka një kallëzim ndaj ndonjë gjyqtari kushtetues dhe se asnjë prej tyre nuk është “person nën hetim.”
Ky konfirmin vjen në një moment kur zëra të ndryshëm publikë, përfshirë edhe ish-ministrin e Drejtësisë, aktualisht avokati Ylli Manjani, ka deklaruar publikisht se është vënë në dijeni për një autorizim të Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për lejimin e përgjimit dhe vëzhgimit të të paktën një prej anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, veprim që i ndalohet çdo prokurorie apo strukture hetimore pa një venndim gjykate.
Historia e përgjimit të mundshëm të një gjyqtari kushtetues u shfaq për herë të parë në publik nga eksperti kriminalistik, Ervin Karamuço, në emisionin “Now” në “Euronews Albania”, mbrëmjen e 19 Shkurtit 2025.
Ish ministri Manjani shkruan:
Që të sqaroj edhe njëherë punën e përgjimit të gjykatës Kushtetuese
1. Sa më takon kam thënë vetëm të vërtetën, që ka një urdhër përgjimi. Këtë urdhër e disponon media, nga ku jam informuar dhe mund të lexohet tashmë edhe nga publiku.
2. Mund t’u spjegoj gjithashtu se në bazë të ligjeve të shkruara nuk mund të autorizohet përgjim apo survejim pa u regjistruar më parë një proçedim. Që do të thotë se urdhëri për përgjim apo survejim në fjalë ka dalë vetëm pasi më parë është regjistruar një procedim. Në fakt edhe vetë përmbajtja e urdhërit e sugjeron këtë gjë.
3. Ky lloj autorizimi për përgjim mbi atë bazë ligjore të cituar, që të jetë i ligjshëm bëhet me vendim gjykate dhe jo me urdhër të prokurorit. Jo se do kishte ndonjë dallim esencial në kushtet ku jetojmë, por të paktën formalisht duhet të respektohej ligji.
Nejse, kjo është situata legale.
Sa për vete, kam dhënë autorizimin që të më përgjojnë sa herë të duan pa asnjëlloj vendimi. Si të duan e kur të duan.
Fakt është se çështja që ne kemi ngritur në Gjykatën Kushtetuese ka qenë çështje e madhe, ndoshta më e madhja, juridike e kohës. Kuktoj këtu se jurispridenca Europiane ka të njëjtin debat. Për këtë gjë së bashku me ekipin e mrekullueshëm të avokatëve ndjehemi mirë. Kemi bërë punën që kanë bërë edhe kolegët tanë në Europë.
Por askund në Europë nuk ka ndodhur që Prokuroria të ushtrojë trysni mbi vendimmarrjen e gjykatave. Kjo e bëri këtë çështje të madhe të flasë në shqipen më të shëmtuar të mundshme.
E vetmja keqardhje që kemi është se nuk gjetëm asnjë gjykatë në Shqipëri që të jetë në nivelin e gjykatave të Gjermanisë, Hollandës, Britanisë e po të doni edhe të Italisë, Malit të Zi e jo vetëm.
Gjetëm gjykata të trysnuara që vendosin në dhomë këshillimi dhe i hapën rrugë trysnisë shtetërore.
Kaq.