Avokate Xhoi Nela
Arrestimi i avokatit Ulian Barjami përbën një precedent të rrezikshëm që cenon themelet e shtetit të së drejtës dhe dinjitetin e profesionit tonë. Ky nuk është thjesht ndalimi i një individi, është një sulm ndaj vetë konceptit të mbrojtjes ligjore, ndaj rolit themelor që avokati ka në garantimin e drejtësisë, lirisë dhe barazisë përpara ligjit.
Në një shtet që pretendon të jetë demokratik, arrestimi i një avokati në ushtrimin e detyrës së tij është sinjali më i rrezikshëm i deformimit institucional. Ai tregon frikën e pushtetit përballë zërit të së vërtetës, që shpesh mbartet vetëm nga avokati, i vetmi që nuk ka as mburojë politike, as privilegj administrativ, por vetëm ligjin dhe ndërgjegjen profesionale.
Kjo ngjarje është një thirrje për ndërgjegjësim kolektiv. Sot është prekur një prej nesh, por në fakt është prekë çdo avokat që mbron me integritet qytetarin përballë sistemit. Në këtë moment, heshtja nuk është më neutralitet, është dorëzim përballë padrejtësisë.
Për këtë arsye, bojkoti i shpallur nga Dhoma e Avokatisë deri më 25 tetor nuk është akt rebelimi, por akt dinjiteti. Është kujtesë për të gjithë se drejtësia nuk ekziston pa avokatin, dhe se çdo goditje ndaj tij është një grusht mbi shtetin e së drejtës.
Ne që kemi zgjedhur këtë profesion e dimë çmimin e lirisë dhe të së vërtetës! Dhe sot, më shumë se kurrë, jemi një trupë e bashkuar, për Ulianin, për çdo avokat, dhe për drejtësinë që s’duhet të nëpërkëmbet më.