Ndërsa presidenti i Republikës tha se shpreson që kryeministri Edi Rama të reflektojë, pas dekretimit të 13 tetorit për datën e re të zgjedhjeve vendore, ky i fundit duket edhe më i vendosur në qëndrimin e tij. Përmes një tjetër reagimi, i treti nga konferenca e Presidentit të Republikës, Rama duket se ka shtuar vetëm dozat e ironisë ndaj kreut të shtetit, por duket se nuk ka ndër mend të lëvizë nga qëndrimi i tij.
“Haxhiu, ai i pari, Qamili pra, mbante në xhep një vulë, e cila ishte nje togëz rripi që trimat e tij e kishin plaçkitur, mes shumë sendesh të karvaneve tregtare. Mbi të shkruhej greqisht “Kompani kafeje Export-Import” dhe dekretet e Haxhiut vuloseshin me të, pa e ditur as ai vetë ç’shkruhej mbi të! Ndërsa Haxhiu tjetër, Salvatori ynë Qametaj ose ndryshe, Presidenti ynë në shkarkim e sipër, e di çfarë shkruhet mbi Vulën e Republikës, po s’di hiç çfarë bën me dekretet për llogari të Saliut, Lulit e Monikës.” -shkruan Rama.
“Baba Haxhiu u ngjall, po zgjedhjet nuk i vret dot dhe data e re e Baba Xhikes është një arsye e fortë më shumë, për të votuar të dielën, më 30 QERSHOR, qetësisht e vendosmërisht, si shqiptarë pa dallim e as ngurrim, kundër karnavaleve të politikës pa din e pa iman” -përfundon rama reagimin e tij.