Një media nxori lajmin sot se kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha është mbajtur nën survejim nga Policia e Shtetit 24 orë më 24 orë. Një lajm që u hodh si rastësisht në këtë situatë vërtetë të tensionuar politike, ku gjithçka që bëhet publike merret si e vërtetë në kontekstin që duan palët.
Me sa duket dhe vetë Lulzim Bashës i ka pëlqyer një lajm i tillë, pa e akuzuar se mund të ketë qënë dhe ai apo bashkëpuntorët e tij prodhuesit e kësaj situate apo lajmi me teori konspirative brenda.
E themi se i ka pëlqyer, sepse sipas medias që e publikoi e para si lajm, kreu i opozitës kur u pyet në lidhje me këtë fakt as nuk e pohoi dhe as nuk e mohoi këtë informacion. Por pavarësisht kësaj, Basha siguroi se do të vijojë aksionin e tij opozitar, nënvizon media.
“Në çdo rrethanë, unë do të vazhdoj aktivitetin tim opozitar”, thot Basha, duke u lënë “fushë” të lirë veprimi të gjithë hamendësimeve të mundshme për “survejimin” e tij dhe arsyeve të këtij “survejimi”.
Por me sa duket Lulzim Basha, ndoshta i nxitur dhe nga këshilltarët e tij e ka parë si një kauzë të mundshme lajmin e dhënë nga media për survejimin e tij 24 orë nga policia.
Pasi dhe “Babalja” me gjithë kontradiksionet që ekzistojnë në video-përgjimin e pretenduar me vëllain e ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, nuk është se prodhoi ndonjë përfitim politik për opozitën.
Përkundrazi, tentativa e të gjithëve për ta lënë këtë “patate” të nxehtë në duart e njëri tjetrit, duke filluar nga Basha, vijuar me deputetët, gazetarin e në fund vetë “Babalen”, sidomos pas kërkimit të azilit në Kosovë të këtij i fundit, i krijoi një kosto të fortë PD.
Shtuar këtu dhe faktin që nëse ekspertiza e huaj e nxjerr video-përgjimin fallco, gjasat janë të
mëdha dhe këtë e pranojnë dhe vetë ekspertët e PD, atëherë “gropa” politike është akoma më e madhe. Por dhe përgjegjësia penale.
Në këto kushte Lulzim Basha me rënien e “Babales” dhe ‘azilin’ politik të tij në Kosovë, është në kërkim të një kauze të re, të paktën sa të kalojë verën dhe të hyjë në vjeshtë.
Dhe lajmi për survejimin e tij nga policia, i ka ardhur Bashës për shtat, teksa ka mbledhur dhe njerëzit më të besuar të tij, ku pas një konsulte i ka dërguar në polici për tw kwrkuar shpjegime.
Policia e Shtetit ka bërë shpjegim publik duke deklaruar se ky është një spekulim mediatik. Sipas policisë media nuk ka kontaktuar me policinë e shtetit për të verifikuar një lajm të tillë.
Policia thekson se Lulzim Basha përfiton nga statusi si kryetar i opozitës, masa shtesë dhe shoqërohet nga forca të Gardës së Republikës.
Për mazhorancën ky është humori i radhës i Bashës dhe nuk duhet marrë seriozisht, teksa deputeti i kësaj partie, njëherësh dhe ish zv.drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit kohë më parë, Pjerin Ndreu tallet me lajmin.
Ai ironizon teksa shkruan se: “Basha në survejim nga policia?! Hahaha…për çfarë ?! Se besoj se policia ka luksin me humbe kohën me gjëra që si vlejnë!”.
Gjithë kjo “furtunë” e ngritur dhe e përvetësuar shumë shpejt nga Lulzim Basha dhe bashkëpuntorët e tij tregon qartë se kreu i PD ka qënë dhe është në kërkim të një kauze, sado qesharake të jetë ajo.
Një kauzë për të bërë opozitë dhe për të bllokuar punimet e Kuvendit dhe miratimin e ligjeve deri më 28 qershor sëpaku, kur vendet e BE të vendosin nëse do të hapen negociatat ose jo.
Një përpjekje e Bashës për kauzën e radhës, tashmë që “Babalja” nuk po jep asnjë lloj produkti politik në favor të opozitës.(TemA)