Teksa ankimimi i kryeministrit Edi Rama për rastin e pezullimit nga detyra të zevendëskryeministres Belinda Balluku është në pritje për t’u shqyrtuar nga Gjykata Kushtetuese, ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, ka ndarë një reflektim të gjerë pas takimit që zhvilloi më 13 nëntor me ministrin e Drejtësisë së Italisë, Carlo Nordio, në kuadër të mbledhjes së përbashkët të dy qeverive Shqipëri–Itali.
Duke vlerësuar figurën e Nordio-s, një magjistrat me afro 40 vite karrierë dhe një nga protagonistët e hetimit të famshëm italian “Mani Pulite”, Lamallari shprehet se diskutimet me homologun e tij, së bashku me dhuratën simbolike, Kushtetutën e Republikës Italiane, marrin sot një domethënie të veçantë për rëndësinë e mbrojtjes së parimeve kushtetuese dhe ndarjes së pushteteve.
Në postimin e tij në rrjetin Facebook, Lamallari sjell edhe citime nga deklarimet publike të Nordio-s, i cili, duke reflektuar mbi tre dekada nga epoka e “Tangentopolit” dhe “Mani Pulite”, thekson se mjetet e përdorura atëherë janë dëshmuar “më të dëmshme se sëmundja”, duke e çuar magjistraturën drejt një kontrolli politik që rrezikoi ekuilibrat demokratikë.
Sipas Nordio-s, efekti më i rrezikshëm i asaj periudhe ishte “vendosja e magjistraturës nën ndikimin e partive politike dhe rolin e saj si ‘mbrojtëse e vendit’, deri në pikën e përmbysjes së vullnetit të kutive të votimit”. Ai thekson se nënshtrimi i politikës ndaj gjyqësorit, në përpjekje për t’i dhënë këtij të fundit një rol shpëtimtar, krijoi një konfuzion të plotë mes pushteteve, në kundërshtim me frymën e Kushtetutës italiane.
Ministri Lamallari nënvizon se ky reflektim është një paralajmërim i vlefshëm edhe sot, duke e lidhur drejtpërdrejt me nevojën për të konsoliduar shëndetshmërinë institucionale, respektimin e ndarjes së pushteteve dhe vetëpërmbajtjen ndaj mjeteve që mund të cënojnë liritë dhe të drejtat themelore.
“Rëndësia jetike e mbrojtjes së parimeve kushtetuese nuk është thjesht çështje e së kaluarës, por një detyrë e përditshme e çdo demokracie”, përfundon ministri Lamallari.
Më poshtë publikimi i tij i plotë në rrjetin social Facebook.
Në takimin midis dy qeverive Shqipëri – Itali, më 13 nëntor pata mundësinë të takoja dhe diskutoja me homologun Carlo Nordio, një magjistrat karriere prej rreth 40 vite përvojë dhe një prej protagonistëve të hetimit ‘Mani Pulite’. Shqetësimet e shprehura hapur tashmë prej tij, si refleksion mbi mëse tre dekada, si dhe dhurata simbolike – Kushtetuta e Republikës Italiane, sot marrin një kuptim të veçantë mbi rëndësinë jetike të mbrojtjes së parimeve kushtetuese, konsolidimit të shëndetshëm të institucioneve në respekt të përcaktimeve themelore mbi ndarjen e pushteteve dhe domosdoshmërinë për vetëpërmbajtje ndaj mjeteve të gabuara që mund të cënojnë këto parime, liri dhe të drejta, të gdhendura në ligjin themeltar!
“Tangentopoli ishte sëmundja, dhe Mani Pulite ishte kura. Edhe pse kjo e fundit, siç ndodh shpesh, është treguar më e dëmshme se e para.”
Tridhjetë vjet pas Tangentopolit, jemi shumë larg projektit për të rikthyer ligjshmërinë në institucione. Mjetet e përdorura përmes proceseve të Mani Pulite janë treguar më të këqija se e keqja që duhej të shëronin…Por efekti anësor më i rrezikshëm ka qenë vendosja e magjistraturës në kontroll të partive dhe në rolin e “mbrojtësit” të vendit, deri në pikën e përmbysjes së verdiktit të kutive të votimit dhe ndryshimit të ekuilibrave parlamentare. Një legjitimitet i tillë është mundësuar nga nënshtrimi i frikshëm i politikës, e cila ka dashur t’u japë togave një rol shpëtimtar dhe vendimtar. Në këtë mënyrë, ndarjes së pushteteve të parashikuar nga Kushtetuta i ka zënë vendin një konfuzion pothuajse i plotë mes tyre.”






