Autoriteti Rrugor Shqiptar njoftoi këtë të enjte se qarkullimi në Rrugën e Rinasit do të kthehet me dy sense lëvizjeje.
Ky vendim erdhi vetëm një javë pas njoftimit të të parit, i cili hasi në rezistencë dhe përplasje të banorëve të zonës me policinë të cilët konsideronin zgjidhjen e dhënë si problematike dhe me kosto shtesë për ta.
ARRSH bëri të ditur se qarkullimi në rrugë do të jetë siç ka qenë më parë, deri në gjetjen e një tjetër zgjidhjeje për të normalizuar ngarkesën me trafik në këtë aks.
“Kthehet në gjendjen e mëparshme Rruga e Rinasit, qarkullimi do të vijojë me dy sense lëvizjeje, deri në një zgjidhje përfundimtare me qëllim lehtësimin e trafikut në segmentin Qafë Kashar-Rrethrrotullimi i Rinasit-Ahmetaq.
Apel ynë për të gjithë drejtuesit e mjeteve që vijnë nga Veriu të përdorin akset alternative, për të mos rënduar trafikun në rrugën që të çon drejt Aeroportit të Rinasit.
Udhëtarë/turistët që marrin fluturimet të marrin në konsideratë fluksin e lartë të mjeteve në këtë aks duke përllogaritur orarin e nisjes”, thuhet në njoftimin e ARRSH.
Rruga e Rinasit, prej kohësh përfshihet nga trafiku i rënduar, sidomos gjatë periudhës së verës, kur rritet fluksi i fluturimeve në destinacione të ndryshme jashtë ose drejt Shqipërisë.
Kjo situatë ishte më pak e dukshme në dy vitet e fundit edhe për shkak të kufizimeve të COVID-19, por duket se tashmë me heqjen e e kufizimeve trafiku do të jetë shoqërues i shpeshtë i rrugëtimit të atyre që duan të shkojnë drejt Rinasit.
Zona ka një rritje të volumit të trafikut edhe si efekt i zhvillimit të projekteve të ndryshme, zhvendosjes së zyrave të kompanive dhe atyre publike në këtyre rajon.
Gjithsesi qeveria nuk ka deklaruar për ndërmarrjen e ndonjë studimi specifik për zonën dhe gjetjen e një zgjidhjeje konkrete.