Nga Adriatik Balla
Premier League mbetet e hapur deri në fund për titullin. Dje Liverpuli kishte një shans të merrte kryesimin e garës, por nuk ia doli të fitonte përballë Mançester Junajtid, e për pasojë nuk ia doli të marrë kreun përballë Arsenalit që vazhdon të kryesojë me 71 pikë, po kaq sa Liverpuli e një pikë më shumë se Mançester Siti.
Siç shihet, gara për titullin në Angli është një duel tresh mes emrave të spikatur të futbollit në ishull, ndaj dhe pritet që ky rivalitet ta shoqërojë garën deri në fund, duke e bërë kampionatin anglez mjaft tërheqës. Sa i takon ndeshjes, ajo i pati të gjitha, emocion, spektakël, gola dhe pikë, por mungoi vetëm fituesi.
Por ndoshta kështu ishte më mirë, pasi edhe vetë gara bëhet më interesante në 7 javët e mbetura në Premier League. Kështu, në duelin e djeshëm pati një barazim spektakolar 2-2 në Mançester Junajtid-Liverpul, duel që nuk zhgënjen kurrë.
The Reds dominuan, por humbën shumë raste, duke lënë në “Old Trafford” dy pikë të rëndësishme për titullin kampion. Pjesa e parë u mbyll 0-1 falë realizimit të Luis Diaz. Vendasit, pasi rezistuan dhe patën fat në më shumë se një rast, barazuan falë një goli shumë të bukur të kapitenit Bruno Fernandes nga mesi i fushës.
Më i bukur ishte goli i dytë i Junajtid, me 18-vjeçarin Kobie Maino që realizoi një gol fantastik. Liverpuli nuk u dorëzua dhe evitoi humbjen falë penalltisë së ekzekutuar saktë nga Momo Salah. Përfundimisht 2-2, rezultat që u shërbeu më shumë Arsenalit dhe Mançester Sitit. Guners kryesojnë me 71 pikë, po aq numëron edhe skuadra e Jurgen Klop, ndërkohë që “Qytetarwt” renditen të tretët me 70 pikë.
Duke iu rikthyer ndeshjes së djeshme mes Junajtid dhe Liverpulit, duhet thënë se media sofascore”, menjëherë pas duelit shkroi shkurtimisht ca gjëra pikante e konkretisht: “Së pari, çfarë loje! Së dyti, tifozë të Liverpulit, ju mund të dëshironi të largoni sytë, këto statistika do t’ju bëjnë edhe më të mërzitur që ekipi juaj mori vetëm një pikë nga ky ballafaqim spektakolar. Sepse, siç mund ta shihni, Liverpul largoi shumë larg Mançester Junajtid, me 28 goditje në rrjetën e Andre Onanës.
Megjithatë, e vetmja statistikë që ka rëndësi është rezultati”. Në të vërtetë, në këtë ndeshje Liverpuli mbajti 62% topin, bëri 28 goditje drejt portës kundrejt 9 goditjeve të Junajtid, 567 pasime totale nga 357 pasime të Junajtid, kornet 11-6, si dhe 90 sulme të rrezikshme kundrejt 37 të Junajtid. ndaj “Sofascore” ka të drejtë në analizat e statistikave dhe për këtë Liverpuli ndihet se la dy pikë nga kjo përballje që e dominoi plotësisht.