Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka paralajmëruar mosbindje civile dhe protesta që këtë javë. Në një komunikim me gazetarët pas tryezës së partive opozitare, Basha tha se mendimi është unanim dhe se opozita do të protestojë kundër çdo takse të rritur nga kryeministri Edi Rama. Sipas kreut të PD-së që sonte do nisë organizimi.
“E keni marrë dhe shpërndarë lajmin ndërkohë. Kemi patur një takim të zgjeruar dhe kemi dalë me një vendim unanim. Në krahë të qytetarëve shqiptarë, të njerëzve të thjeshtë që po vidhen e po poshtërohen nga një bandë kriminale në pushtet. Në krah të kuksianëve që iu grabit buka e gojës. Në krah të shqiptarëve që po goditen nga taksat. Kush kujton se e lëshuam këtë kauzë pasi mbaroi debati parlamentar e ka gabim. Shqipëria është sot në prag humnere, shkaktar është Edi Rama që qeveris me bandat dhe banditët dhe një grusht oligarkësh që iu shet Shqipërinë copë-copë. Mosbindja qytetare nis që këtë javë me refuzimin jo vetëm të taksës së Rrugës së Kombit por çdo takse që ka rritur Edi Rama. Që sonte nis organizimi nga opozita”, deklaroi Basha.
I pyetur nëse lufta opozitare do të jetë edhe në parlament Basha theksoi: “Do ndërthurim të gjitha format e nevojshme të aktivitetit opozitar. Opozita do jetë e pranishme, në ballë të çdo organizimi”.
Ndërsa kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, u ka bërë thirrje qytetarëve për mosbindje civile për pagesën e taksave dhe tarifave. Pas përfundimit të mbledhjes së përbashkët të grupeve parlamentare PD-LSI, Kryemadhi tha se me këtë qëndrim synohet që të hiqet dora e Ramës nga xhepi i shqiptarëve.
“Mosbindja qytetare për taksat do të thotë të heqësh dorën e Ramës nga xhepi i shqiptarëve, do të thotë të heqësh litarin nga qafa e qytetarëve. Duke u mbyllur gojën mediave dhe të varfërve, Rama po instalon diktaturën e drogës. 23 të burgosur janë heronj, që na dhanë mësim edhe ne opozitës. Rama me fjalor rrugaçi i fyeu, gj që deri më sot nuk ka guxuar kush ta bëjë për shqiptarët”, u shpreh kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi.