Kreu demokrat, Lulzim Basha i ka dhënë dje një goditje presidenti Ilir Meta. Në një studio televizive ai u pyet për herë të parë për raportin e Komisionit të Venecias për shkarkimin e presidentit, por qëndrimi i Bashës ishte ashtu siç pritje. Gazeta e ka thënë se marrëdhëniet mes tij e Metës janë tensionuar dhe Basha e shmangu pyetjen për shkarkimin e tij.
Nuk pati asnjë qëndrim, ashtu si LSI se Venecia tejkaloi kompetencat. Kreu demokrat u ndal vetëm te çështja e 30 qershorit, duke lënë kështu në baltë presidentin. Edhe pse Venecia ka ditë që ka folur, Basha nuk kishte mbajtur një qëndrim. Pro dhe këtë herë nuk e ka mbrojtur presidentin, duke anashkaluar shkarkimin dhe duke e lënë vetëm kreun e shtetit. “Është e qartë se zgjedhjet e 30 qershorit, votimet e 30 qershorit kanë rënë. OSBE/ODIHR i është trupa përgjegjëse për gjykime të çdo procesi zgjedhor apo kuazi zgjedhor siç ishte ai i 30 qershorit. Që kanë rënë këtë e kupton çdo shqiptar; janë bërë pa konkurrencë, janë bërë pa dekret presidencial dhe edhe pse pa konkurrencë janë masakruar në çdo hap që nga përgatitja, tek pseudofushata, tek dita e votimit, tek numërimi apo masakra me numërimin e votave, gjithçka ishte një proces farsë”, tha ai.
Basha rrëzon akuzat se nxiti përplasje civile
Por Basha ju përgjigj dhe sulmeve të Metës. Ky i fundit në një intervistë te enjten deklaroi se kishte një marrëveshje që vendi të shkonte drejt përplasjes. “Kishte një marrëveshje për të përplasur shqiptarët. Kjo është shumë e qartë. Nëse unë ju thërras që ta zgjidhim këtë marrëveshje, të lëmë një datë dhe ju nuk doni e vazhdoni të tregonit forcën, marrëveshja ishte. Shikoni kronikat e kohës dhe shikoni policët e lënduar, shikoni qytetarët e lënduar, kthejuni pamjeve tuaja televizive kur Tirana ishte me gaz, sikur të ishim në Gaza dhe jo në mes të Europës”, tha Meta. Por Basha dje ka deklaruar të kundërtën. Duke mos dashur të dalë tërësisht kundër Metës, ai u shpreh se vërtet presidenti e nxori dekretin për të shmangur përplasjet, por ishte ai si lider i opozitës që nuk lejoi që të binin në provokimin e mazhorancës. “Jam i lumtur që si kryetar i opozitës kam marrë vendimin e duhur bashkë me popullin për të mos shkuar, për të mos rënë pre e këtij skenari dhune të përgatitur nga të njëjtat banda kriminale që përgatitën dhe ekzekutuan vjedhjen e zgjedhjeve të 2017-ës apo masakrën elektorale të Dibrës. Dhe falë këtij qëndrimi sot kemi ndërgjegjësim të faktorit ndërkombëtar që për zgjidhjen e krizës shqiptare kemi dy realitete përballë njëri tjetrit”, tha ai.
Ndërhyrja e ndërkombëtarëve
Kryedemokrati u pyet edhe për ndërhyrjen e ndërkombëtarëve për zgjidhjen e krizës politike. Më herët Basha nuk ka dashur ta komentojë ndërhyrjen e ndërkombëtarëve. Por edhe dje sërish e ka devijuar përgjigjen duke vendosur theksin tek zgjedhjet. Sipas Bashës zgjidhja e krizës do të vijë vetëm nëpërmjet zgjedhjeve dhe reformës zgjedhore. “Ka ardhur theksi tek Reforma Zgjedhore që përbëhet jo thjesht nga ndryshime ligjore por ka vullneti politik për të zbatuar çfarëdo ligji që nga Kodi Elektoral, tek Kodi Penal, tek ligji i dekriminalizimit e kudo tjetër. Prandaj nuk mendoj se po nxjerrim ndonjë sekret, sepse sekreti është shkruajtur e zezë mbi të bardhë në nëntë kushtet e Bundestag-ut, që Shqipëria të avancojë drejt Bashkimit Europian, që Shqipërisë t’i hapen negociatat duhet të zgjidhë krizën politike përmes zgjedhjeve te lira dhe të ndershme pas një Reforme Zgjedhore me përfshirjen dhe konsensusin e të gjithë partive politike”, tha ai.
Arbjona Çibuku