Lulzim Basha ka kritikuar linjën editoriale të televizionit Tv Klan të Aleksandër Frangajt i cili po suporton Sali Berishën në betejën e tij kundër Shteteve të Bashkuara, Lulzim Bashës dhe Edi Ramës.
Duke folur për media, Basha e ka konsideruar si televizion që deformon të vërtetën për interesa personale.
Basha tha se ky është një televizion “provincial” që vijon të përfitojë.
“Nuk i takon një televizioni me licensë kombëtare të sillet si një televizion provincial, i cili shmang të vërtetat apo deformon të vërtetat” tha ai duke qartësuar se këtë kunjë nuk e kishte me gazetarët e televizionit.
“Është mirë të jesh objektiv dhe të jesh objektiv duhet të thuash të vërtetën” u shpreh Basha.
Ndërkohë, kreu i PD-së u kujdes që teksa foli për “llumin” që PD ka mbajtur pranë gjatë qeverisjes, shënjestroi edhe Aleksandër Frangajn.
Ky i fundit, vetëm gjatë qeverisjes Berisha ka përfituar së paku 16 milionë euro reklama.
Ndërkohë, gjatë qëndrimit në opozitë ka shfrytëzuar tellallin dixhital të Berishës si platformë për të sulmuar indirekt kundërshtarët e tij në biznese.
Më poshtë po përcjellim përgjigjen e Frangajt:
“Dalja e sotme e Lulzim Bashës para gazetarëve, ka sjellë dhe një moment që mund ta quajmë fare mirë lajthitje të tij. I pyetur nga gazetarja e Politikës së Televizionit Klan, Jolldiz Mitro, për zhvillimet më të fundit brenda PD-së, pas përplasjeve me deputetin Flamur Noka, kryedemokrati Basha ka sulmuar menjëherë gazetaren e Klan:
Lulzim Basha: “Njëherë dua Jona, që kam respektin më të madh për ty profesionalisht, t’ju them që televizioni juaj duhet të jetë pak më objektiv në pyetje e pastaj edhe në raportime, sepse nuk i takon një televizioni me licencë kombëtare të sillet si një televizion provincial, cili shmang të vërtetën apo deformon të vërtetën”.
Por pyetjes po të gazetares së Televizionit Klan se cilat të vërteta kishim shmangur sipas tij, z Basha i përgjigjet se:
Lulzim Basha: “Ti asnjë, as gazetarët e Klanit asnjë, por është mirë që të jeni sa më objektiv dhe që të jesh objektiv do të thotë që të thuash të vërtetën”.
Kaotik në përgjigjet e tij, kryedemokrati Basha edhe ankohet, por edhe nuk ankohet ndaj gazetarëve të Klanit. Meqë me ne të lajmeve nuk e paska inatin, ndoshta e ka me korrespondentët e Aldos së emisionit të mëngjesit, ose me këta të emisionit të gatimit për ndonjë recetë më të mirë se të tijat, ose larg qoftë me ata të Klanifornias që janë totalisht të pakontrollueshëm.
Kreu i PD, z. Basha, dukshëm duket që e ka humbur qetësinë nga zhvillimet e brendshme e sidomos që prej nisjes së Foltores me qytetarët nga Sali Berisha, por edhe nga përplasjet me deputetet e tjerë, ndaj të cilëve ka nisur të marrë dhe masa siç ishte rasti i Flamur Nokës dje, sepse dhe ky i fundit në fakt e bëri baltë duke folur pak si shumë kundër tij.
Qartazi kuptohet që stresi i është rritur në maksimum, por që ta kalojë sa më shpejt këtë moment të vështirë, ne të lajmeve të Klanit një këshillë mund t’i japim zotit Basha, të shtojë orët e gjumit dhe të dalë sa më pak në televizor…”