Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka rrëzuar sërish planin mafioz të ish-kryeministrit Sali Berisha dhe kryetares së LSI, Monika Kryemadhi për revolta. Ditën e sotme pritet që në seancën plenare të votohet dekreti i Presidentit të Republikës, Ilir Meta, së bashku me amendamentet e bëra nga mazhoranca dy ditë më parë. Mirëpo, sipas informacioneve të gazetës, Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim nuk do të jenë aty për të mbrojtur kauzën e tyre, duke shmangur kështu edhe skenarët e dhunës.
Por pas lëvizjes së mazhorancës, opozita vijoi sulmet dhe nuk u dakordësua sepse sipas tyre, me pranimin e dekretit bie i gjithë ligji dhe amendimet ligjore nuk kanë vlerë. Madje për këtë çështje ata bënë edhe shumë zhurmë, duke lënë të nënkuptohet se ditën e sotme do të jenë në Parlament me qëllim që ligji për teatrin, së bashku me ndryshimet të mos kalojë. Pritshmëritë ishin që për këtë ligj të kishte edhe trazira nga ana e opozitës, duke plotësuar kështu dëshirën e Berishës dhe Kryemadhit. Por mesa duket nuk do të ndodhë aspak kështu, shkruan ‘Sot’.
Opozita mblidhet në Vlorë
Për të katërtën javë radhazi, PD-LSI do të mungojnë në seancë plenare, duke sfiduar mazhorancën me një mbledhje të përbashkët nëpër qytete. Këtë të enjte ata kanë vendosur që të ndalen në Vlorë. Siç duket, opozita e bashkuar ka vendosur të braktisë kauzën e saj për të mbrojtur teatrin. Plani për tu mbledhur në Vlorë ishte organizuar para se të diskutohej për dekretin e Metës, por para dy ditësh deputetët opozitarë deklaruan se një gjë e tillë mund të ndryshojë, duke shtuar se do të konsultoheshin me grupet parlamentare për të vendosur nëse do të merrnin pjesë në seancën e sotme plenare. Mesa duket, vendimi i kryetarit të Partisë Demokratike për të mos marrë pjesë sot në Parlament duket se e ka një prapaskenë.
Me braktisjen e kauzës së opozitës, ai po iu prish planet ish-kryeministrit Sali Berisha dhe kryetares së LSI, Monika Kryemadhi për mosbindje civile dhe protesta të dhunshme. Gazeta e ka thënë shumë shpesh se dy emrat e mësipërm e shtyjnë gjithmonë Bashën drejt skenarëve të dhunës, por ky i fundit është disi më soft dhe i qetë, duke i kundërshtuar Berishën dhe Kryemadhin. Gjatë muajve korrik-gusht ish-kryeministri, kryetarja e LSI, deputetë të LSI, midis të cilëve edhe Petrit Vasili, paralajmëruan shumë shpesh se shtatori do të sillte mosbindje civile dhe protesta të mëdha, duke marrë shkas edhe nga plani i qeverisë për Teatrin Kombëtar.
Monika Kryemadhi u shpreh se aksioni opozitar për çështjen e teatrit do të vazhdojë pa ndalim, ndërsa Petrit Vasili kërcënoi me një përballje shumë të ashpër. Ndërsa Berisha tha se teatri do të mbrohet me çdo çmim. Por kreu i PD po ua hedh poshtë këto thirrje radikale dhe skenarë dhune, duke mos marrë pjesë fare në Parlament, pavarësisht se diskutohet për teatrin. Edhe gjatë mbledhjes në Vlorë, pritet që opozitarët të bëjnë atë që kanë bërë edhe përgjatë 3 javëve të shkuara: të denoncojnë lidhjet e qeverisë me krimin. Pra, duket se plani i Bashës është të qëndrojë tek denoncimet dhe jo tek protestat e dhunshme.