Kreu i Demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha ka folur për arsyet që e çuan atë të mendonte për dorëheqjen më 21 janar të vitit 2011.
Ai u shpreh në studion e emisionit “Open” se e kishte menduar largimin pa asnjë presion dhe si një akt të domosdoshëm për të marrë përgjegjësinë politike në lidhje me ngjarjet e asaj dite, ku humbën jetën katër qytetarë.
Basha theksoi se çështja e hetimit gjyqësor duhet të ishte zbardhur, por akuzoi kryeministrin Edi Rama se e kishte penguar këtë proces për ta shfrytëzuar politikisht.
Ai shprehu keqardhjen e tij për ngjarjen, duke thënë: “Më erdhi plasje kur dëgjova që aty pati viktima. Policët ishin të çarmatosur pikërisht për të shmangur pasojat.”
Në vazhdim, Basha përmendi se grupi i zjarrit kishte marrë promovime në pozita si kryetar bashkie dhe se kishte përfituar nga tenderat, ndërsa Ilir Meta ishte bërë Kryetar Kuvendi pas atyre ngjarjeve.
I pyetur se përse nuk e dha dorëheqjen asokohe, Basha u shpreh se nuk e kreu këtë veprim pasi sipas tij kërcënohej një tjetër protestë që mund të ishte e dhunshme.
Pse mendove te japësh dorëheqjen në 21 janar?
Basha: E kam menduar pa asnjë presion. Ishte për përgjegjësi politike. U vranë 4 qytetarë. Pjesën gjyqësore e kam thënë, duhet të ishte zbardhur. Por 21 janari nuk zbardhet se Edi Rama e ka penguar se kërkon ta përdorë politikisht.
Grupin e zjarrit e gradoi kryetar bashkie dhe përfitues të tenderave. Ilir Metën e mori dhe e bëri Kryetar Kuvendi. Më erdhi plasje kur dëgjova që aty pati viktima. Policët ishin të çarmatosur pikërisht për të shmangur çdo lloj incidenti. Bëmë gjithçka që të shmangeshin viktimat.
Pse nuk dhe dorëheqjen?
Basha: Nuk dhashë dorëheqje sepse kërcënohej një tjetër protestë që mund të ishte e dhunshme. Kjo në etikën time mund të ishte (dikush mund të thoshte mbroj të pasmet e mia dhe iki) braktisje e detyrës që më ishte besuar me Kushtetutë.