Kreu demokrat Lulzim Basha ka njoftuar ditën e djeshme se Kryesia ka përjashtuar nga Partia Demokratike edhe 19 emrat për të cilat u tha se janë pezulluar. Në një intervistë për “Abc News”, Basha u shpreh se nuk ka dritë jeshile për asnjë prej tyre, por nëse ata vendosin të distancohen nga dhuna, vendimi do të vlerësohet përsëri. Sipas tij, nëse këta 19 emra vendosin të mos reflektojnë, do të ngelen të përjashtuar nga partia.
“Nuk ka dritë jeshile për asnjërin. Të gjithë janë përjashtuar nga Partia Demokratike. Të pezulluarit kanë një mundësi të distancohen nga dhuna dhe distancimi i tyre nga dhuna do të vlerësohet nga institucionet e partisë. Mos distancimi i tyre deri në këtë moment flet qartë për fajin e tyre”, u shpreh ai.
Kreu demokrat foli edhe për protestën e 8 janarit për të cilën u shpreh se opozita ishte në vendin e duhur duke bërë detyrën e saj. Ai tha se ish-kryeministri Sali Berisha së bashku me organizatat kriminale që e shoqërojnë ishin në vendin e gabuar dhe me mjete të gabuara.
Sipas tij, çdo akt dhune që është në kundërshti me ligjin do të trajtohet si vepër penale. “Ne ishim në një sesion mbledhjesh normale, në detyrën tonë si opozitarë, si drejtues të Partisë Demokratike dhe asgjë nuk ka penguar, nuk na pengon dhe nuk do të na pengojë të bëjmë detyrën tonë.
Nuk ishim ne në vendin e gabuar me mjetet e gabuara, por Sali Berisha dhe organizata e tij kriminale. Çdo akt dhune, çdo akt në kundërshtim me ligjin do të trajtohet siç trajtohet çdo vepër penale nga çdo keqbërës”, tha Basha.
Basha akuza trekëndëshit të Bermudës
Nga ana tjetër i pyetur se çfarë mendon mbi deklaratat e presidentit Ilir Meta, Basha tha se Meta po përpiqet t’i zgjasë jetën tranzicionit nga i cili ka përfitime. Por lideri i PD u shpreh se për demokratët është e qartë që beteja është midis të shkuarës dhe të ardhmes.
“Njësoj si Edi Rama, edhe Ilir Meta dhe çdokush tjetër e shikon këtë si një mundësi për t’i zgjatur jetën tranzicionit nga i cili përfitojnë aktorët e tranzicionit. Për ne është e qartë: Beteja është midis të shkuarës dhe të ardhmes. Demokratët kanë folur qartë në Kuvendin Kombëtar, kanë folur qartë në aktet dhe veprimet e tyre”, deklaroi Basha.
Lideri i PD foli dhe për atë që ai e quan trekëndëshi i Bermudës. Basha tha se Rama, Meta dhe Berisha po bëjnë përpjekjet e tyre për të ndalur luftën kundër korrupsionit duke përdorur gjithë instrumentet. Sipas Bashës, kjo nuk ka për të ndodhur sepse korrupsioni do të bjerë e do të marrë me vete dhe aktorët e tranzicionit 30 vjeçar.
“Këta janë të bashkuar në hallin e tyre dhe në përpjekjen e tyre për të ndalur luftën kundër korrupsionit, ne jemi më të bashkuar dhe më të vendosur se kurrë në luftën kundër korrupsionit si armiku numër një i mirëqenies së shqiptarëve. Të tjerat pastaj janë detaje taktike se si Trekëndëshi i Bermudës në të gjitha instrumentet që ka Edi Rama edhe instrumentet e tij, përpiqen të ndalojnë të paevitueshmen, por nuk do ta ndalin dot. Korrupsioni do të bjerrë, do të shembet, do të marrë me vete aktorët kryesorë të korrupsionit dhe të tranzicionit 30-vjeçarë të Shqipërisë”, tha ai.