Nga Ralf Gjoni
Duam apo s’duam, Partia Socialiste & Edi Rama i kanë fituar zgjedhjet parlamentare qartazi dhe pa lënë asnjë hapësirë për kontestim.
Me trishtim më duhet t’i them ‘Good Luck’!
Partia Demokratike e Shqipërisë ka humbur rëndë, për të disatën herë, pa mundur të frymëzojë atë bashkësi të madhe shqiptarësh të inatosur me arrogancën e korrupsionin e rilindjes.
Lëvizja Socialiste për Integrim ka një shtrydhje ulëritëse deri në avullim të partisë, e cila i kishte të gjitha shanset para 4 vjetësh të kontribuonte në koalicion për Shqipërinë e të rritej si lëvizje. E si mund të ndodhte ndryshe???
Ky rezultat duhet lexuar me shumë kujdes nga të gjithë ne opozitarët e vërtetë, dhe me përgjegjësi maksimale prej atyre që i humbën këto zgjedhje.
Kjo do të thotë pikë së pari që Lulzim Basha si humbës për të katërtën herë (3 herë në garë e 1 herë në tavolinë) duhet të japë dorëheqjen menjëherë, pa vonesa e të largohet si një aktor i paaftë politik e si një i përkëdhelur i Doktorit.
As njëri e as tjetri, nuk i duhen më as dreqit, e jo më parlamentit.
PD duhet të hapet për njerëz normalë që ndjehen natyrshëm të djathtë e të gatshëm për t’a riformatuar e rindërtuar atë parti sipas një modeli evropian modern e mbi baza të vërteta demokratike.
PD është aset kombëtar, jo SH.P.K. e as pronë private.
Monika Kryemadhi duhet të japë dorëheqjen gjithashtu për shkak të paaftësisë së saj për të ruajtur një parti që bashkëshorti i saj ia la me 19 deputetë. Përndryshe, LSI do të pushojë së ekzistuari brenda dy vjetësh.
Pas tyre, i takon presidentit Ilir Meta të mbajë fjalën e të dorëhiqet nga posti më i lartë i shtetit. Në të tilla momente duken burrat dhe unë për të tillë e kam pas njohur!
Nuk ju kemi më borxh asnjë sekondë të jetës sonë, asnjë grimcë vëmendjeje e mbi të gjitha të ardhmen e fëmijëve tanë.
Mjaft luajtët e u tallët me dëshirën tonë të pastër për t’a bërë këtë vend!