Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka nisur lëvizjet për t’i prishur planet ish-kryeministrit Sali Berisha, për të futur në kaos PD-në.
Pak ditë më parë, dega e Partisë Demokratike në qytetin e Korçës u përfshi nga “hemoragjia”, ku në shenjë rebelimi ndaj politikës së ndjekur nga kryedemokrati Basha, kreu i saj, Andrea Mano, disa zyrtarë dhe anëtarë demokratë dhanë dorëheqjen. Për këtë situatë, zëra brenda Partisë Demokratike bënë me dije se pas rebelimit nga ana e demokratëve korçarë ndaj Bashës, fshihet ish-kryeministri Berisha.
Por për të shuar revoltat dhe parandaluar agravimin e situatës në degën e PD të Korçës, dje Basha ka nisur të besuarin e tij, deputetin e zgjedhur, Ervin Salianji.
Ky i fundit nën cilësinë e deputetit të zgjedhur të Partisë Demokratike dhe nënkryetarja e PD, Korçë, Ledina Aliolli kanë zhvilluar një takim me strukturat e PD-së në këtë qytet, ndërsa u deklarua që me udhëzim të Partisë Demokratike është vendosur që drejtimi i kësaj dege deri në muajin shtator të drejtohet nga 3 nënkryetarët e kësaj force politike. Po ashtu, u komanduan drejtuesit e rinj në 15 seksionet që ka mangësi.
Basha nis lëvizjet për të vënë nën kontroll situatën
Ndërkohë, në takimin e djeshëm ra në sy mungesa e drejtuesit politike të PD në Qarkun e Korçës, Edmond Spaho. Kjo do të thotë, se fakti që Basha çoi Salianjin për të qetësuara gjakrat brenda degës së Partisë Demokratike në Korçë dhe spostoi zotin Spaho, që me logjikë duhet të ishte ky i fundit atje, tregon se kryedemokrati po merr masat për të vënë nën kontroll situatën dhe shmangur largime të tjera.
Zoti Spaho ka punuar me ish-kryeministrin Sali Berisha dhe si duket Basha e ka spostuar qëllimisht atë, duke e zëvendësuar me deputetin Salinji.
Pra, e gjithë kjo lëvizje nga Basha është bërë me paramendim, për të shmangur planet destruktive të Berishës në degën e PD-së së Korçës dhe dhënë një mesazh se është ai që drejton selinë blu.
Nga ana tjetër duke folur në takim, deputeti Ervin Salianji deklaroi se dega e Korçës vijon punën për ristrukturimin e saj, duke kujtuar se nga 146 seksione, vetëm në 15 prej tyre ka pasur dorëheqje. “Shumë njerëz nuk janë mësuar dot me sakrificën, shumë të tjerë janë ‘demokratë pushteti’ dhe nuk janë dot demokratë sakrificash dhe opozite.
Ne duhet të qartësohemi nëse kemi kundërshtar Niko Peleshin apo kemi kundërshtar ndonjë nëpër lagje? A kemi kundërshtar ne Partinë Socialiste dhe Rilindjen që në mënyrë të përsëritur godet mundin dhe sakrificën e gjithë qytetarëve, por duke nisur nga demokratët? Të sqarojmë tani se 15 seksione kanë problematika që është larguar kryetari ose sekretari i seksionit nga 146 seksione që ka Partia Demokratike në Korçë. Pa diskutim që rruga e cila duhet zgjedhur dhe zgjidhet është të ulemi dhe të flasim me njëri-tjetrin. Sepse cila është kërkesa? Të dëmtohet PD në opozitë?”, deklaroi Salianji.