Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike pritet që të përjashtojë sot nga strukturat kryesore të partisë ish-kryeministrin Sali Berisha. Pas përjashtimin nga grupi parlamentar demokrat, ish-kryeministri Berisha duket se nuk do të jetë më as anëtar i Këshillit Kombëtar dhe as i Kuvendit Kombëtar.
Ditën e djeshme nën drejtimin e kryedemokratit Basha është mbledhur Kryesia e PD, ndërsa axhenda e Kuvendit Kombëtar dhe çështja “Berisha” kanë qenë pjesë e diskutimit.
Gazeta ka mësuar detaje nga kjo mbledhje, teksa mësohet se është propozuar të ndryshohet statuti dhe të vendoset që personat e shpallur “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe emrat e prekur nga dekriminalizimi të mos jenë pjesë e strukturave qendrore të Partisë Demokratike.
Më konkretisht kjo kërkesë është propozuar nga nënkryetari i PD, Enkelejd Alibeaj dhe me pas deputeti Ervin Salianji, të cilët kanë kërkuara që në strukturat e partisë të mos jenë individët “non grata”.
Lidhur me këtë propozim kanë rënë dakord edhe anëtarët e tjerë, duke vulosur miratimin e ndryshimeve. “Jemi dakord me këtë propozim”, mësohet të jenë shprehur njëzëri Çollaku dhe Gjekmarkaj. Ndërsa Salianji si propozues ka shkuar edhe më tej, teksa ka kërkuar që kjo kërkesë të kthehet në rezolutë dhe votohet sot në Kuvendin Kombëtarë të Partisë Demokratike. “Ta kthejmë në rezolutë”, mësohet të ketë thënë Salianji.
Ndërkohë që anëtarja e Kryesisë së PD, Orjela Nebiaj është shprehur hapur pro kësaj kërkesë. “Dakord”, mësohet të jetë shprehur Nebijaj. Mirëpo nga ana tjetër deputetja Dhurata Çupi mësohet se ka kërkuar që kjo kërkesë të bëhet më e qartë, në mënyrë që ta kuptojnë demokratët.
“Kjo është për Sali Berishën. Ta themi qartë dhe shqip. A jemi ne në gjendje ta përballojmë dot këtë ndaj demokrateve?”, mësohet të jetë shprehur Çupi. Strukturat kryesore të partisë janë grupi parlamentar, Kryesia, Këshilli dhe Kuvendi Kombëtar. Berisha nuk do jetë në asnjë prej tyre.
Vendimet e Kryesisë
Gjithashtu, u konfirmua krijimi i Aleancës Qytetare për Demokracinë si organizatë partnere e PD-së, e cila do të veprojë paralelisht me FRPD dhe Forumin e Gruas, por është ende e paqartë axhenda e kësaj strukture. Po ashtu, u miratua edhe rendi i ditës së nesërme në Kuvendin Kombëtar, ku është vendosur edhe votimi për ndryshimet e parashikuara në Statut.
Po ashtu Kryesia e PD ka vendosur ngritjen e Komisionit të Përhershëm Statutor, i cili përbëhet nga 6 anëtarë. Anëtarë të Komisionit Statuor janë Enkelejd Alibeaj, Ervin Salianji, Kreshnik Çollaku, Jonila Godole, Taulant Zeneli si dhe Jorida Tabaku.
Basha mesazh delegatëve: Ejani në Kuvend
Megjithatë dje kryedemokrati Lulzim Basha iu ka dërguar një mesazh në celular të gjithë delegatëve të PD që të marrin pjesë në Kuvendin e thirrur prej tij. “I dashur anëtar i Kuvendit Kombëtar. Më 18 Dhjetor, ora 11:00, në Pallatin e Kongreseve, Tiranë, mblidhet Kuvendi Kombëtar i PD, me përgjegjësinë historike për të qenë të bashkuar kundër regjimit të Edi Ramës. Pjesëmarrja e secilit prej nesh, është mesazhi i qartë që interesi i demokratëve dhe PD, sakrifica e tyre, është mbi interesin personal të cilitdo. Ne zgjedhim të ardhmen, për PD, për Shqipërinë”, shkruan Basha.