Të gjithë, prej orës 15:00, i kishim sytë tek bashkimi i Bashës dhe Kryemadhit. Dy krerët e opozitës, janë mbledhur bashkë, duke gatuar planin e tyre kundër qeverisë Rama.
Çifti Basha-Kryemadhi, kanë treguar detaje të reja për axhendën e tyre të përbashkët, axhendë që sipas tyre synon që Shqipëria të hapë negociatat me BE-në dhe të mbyllë atë që e quajti kapitullin më të errët të vendit.
Sipas Bashës, PD- ja dhe LSI-ja do bëjnë të pamundurën që të zbatohet reforma në drejtësi, të kapen “peshqit e mëdhenj”.
“Ne si opozitë kemi denoncuar me emër dhe mbiemër me fakte dhe shifra tërësinë e aferave korruptive dhe kriminale, por gjithashtu kemi mundësi të nxjerrim Shqipërinë nga kjo situatë dhe gjithçka fillon me përpjekjen tonë për të hapur negociatat.
Kemi një plan konkret për luftën e krimit dhe drogës, për kapjen dhe vënien para drejtësisë të peshqve të mëdhenj, për zbatimin e reformës në drejtësi dhe çlirimin e ekonomisë nga kthetrat e klientëve të Edi Ramës”,- tha Basha.