Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha nuk e ka ende një marrëveshje me aleatët për numrin rendor të listave të kandidatëve sa u takon zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit.
Edhe pse të martën pak para se të skadonte afati zyrtar dhe pas shumë negociatash të zhvilluara në selinë blu me aleatët e tij, kreu i PD, Lulzim Basha, ka kristalizuar marrëveshjen me plotë 12 parti për të shkuar së bashku në një koalicion në zgjedhjet e 25 prillit, asnjë prej aleatëve nuk e ka zyrtare se çfarë renditje do të mbajnë në listën e kandidatëve për deputetë.
Gazeta ka mësuar se këtë javë kryedemokrati Basha pritet të vijojë negociatat me aleatët e tij, por edhe me demokratët për të nënshkruar një marrëveshje të dytë, përmes së cilës do të zbulojë edhe vendin që do të marrë secili në listat e koalicionit “Partia Demokratike -Aleanca për ndryshim”.
8 mars është afati i fundit i caktuar nga KQZ që partitë të dorëzojnë listën shumëemërore të kandidatëve për deputetë, ndërkohë që të gjithë i kanë sytë tek kjo javë që vjen dhe vendimi që do të marrë Basha. Burime nga selia blu i pohuan gazetës, se në marrëveshjen e nënshkruar dy ditë më parë, zoti Basha vetëm sa i ka futur këto parti në një koalicion, por asnjërit nuk i ka zbuluar se çfarë vendi do të mbajë në listën e koalicionin në zgjedhjet e 25 prillit.
Idrizi dhe Mediu rrezikojnë shumë në Tiranë
Por fakti që të gjithë aleatët e PD janë në terr dhe nuk e dinë ende se në çfarë vendi do të jenë në lista edhe pse kanë kërkuar që të jenë në numrin fitues, ka rritur tej mase konfuzitetin mes palëve. Sipas informacioneve, mësohet se kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu ka kërkuar nga Basha që t’i vendosë në dispozicion atij dy emra në listën fituese të koalicionit sa i takon Qarkut të Tiranës, ku njërin do e ketë për vete dhe tjetrin për nënkryetarin e PR, Blendi Sulaj.
Po ashtu, një vend i siguritë në listë i është premtuar edhe kreut të LZHK, Dashamir Shehu, ndërsa nga ana tjetër edhe kreu i PDIU, Shpëtimi Idrizi ka kërkuar të jetë në listën fituese të koalicionit “PD-Aleanca për ndryshim” në Qarkun e Tiranës. Ndërkohë, një premtim që do të jenë në listat fituese, madje i dyti i është bërë edhe kreut të PAA, Agron Duka sa i takon Qarkut të Durrësit, ndërkohë që edhe kreut të PBDNJ, Vangjel Dule i është premtuar se do jetë në listat fituese në Qarkun e Korçës, kurse kreut të PDK, Nard Ndoka në Shkodër. Ndërkaq, Basha refuzoi që të fuste në listën fituese në Tiranë edhe një emër të FRD të drejtuar nga Bamir Topi.
Mirëpo, fakti që askush nuk e di se në çfarë numri rendor do të renditet në listat për zgjedhjet e 25 prillit dhe vendimi për të hyrë në koalicion, duket se i rrezikon shumë aleatët, sidomos Mediu dhe Idrizi, të cilët kanë shfaqur interes të kandidojnë në Qarkun e Tiranë.
Momentalisht të sigurtë që do dalin deputet në listat e koalicionit të udhëhequr nga PD e kanë 12 drejtuesit politikë të kësaj partie në qarkun e Tiranës, plus po të shtojmë kryetarin Basha, ish-kryeministrin Sali Berisha dhe kreun e LZHK, Dashamir Shehi që mund të jetë brenda numrit 10, shkon numri në 15. Kështu që dhe tre janë Mediu, Sulaj dhe Idrizi, numri shkon në total 18, ç’ka do thotë se këtë të fundit rrezikojnë të mbetet jashtë Parlamentit. Madje, futja në koalicion duket se ishte edhe një “kurth” për aleatët e PD, pasi tashmë ata nuk kanë mundësi që të kandidojnë në lista më vete, duke bërë që ata të rrezikohen shumë dhe të kenë shpresat vetëm tek zemërgjerësia që do të tregojë Basha.
Mediu me sytë nga Basha
Megjithatë, një sinjal se disa prej aleatëve të Bashës ndihen të rrezikuar dhe se nuk e dinë se në çfarë numri do të renditet, e ka dhënë dje vetë kreu i Partisë Republikane. Ky i fundit gjatë një prononcimi i bëri thirrje Bashës që t’i përmbahet marrëveshjes së dakordësuar.
“Kemi arritur parimin dhe në datën 6 kjo marrëveshje duhet të implementohet. Është e domosdoshme për ta parë implementimin e drejtë të kësaj marrëveshjeje. Po ta bësh analizën elektorale 2009-2013 të bashkëpunimit me PD, Partia Republikane ka shanset për të kandiduar në Tiranë me dy deputetë madje dhe pak më tepër se kaq”, deklaroi Mediu.