Nga babai hajdut te gjyqtarja e drejtësisë: si familja Strakosha e shndërroi korrupsionin në karrierë…
Gjyqtarja e Elbasanit, Megi Strakosha, u bë palë aktive me prokurorin Gjergji Ceka në presionet ndaj avokatit Uljan Bajrami në sallën e gjyqit, duke nxitur arrestimin e tij arbitrar.
Përveçse është vajza e Vasillaq Strakoshës, ish-drejtori i Bashkisë Himarë, i dënuar nga SPAK për falsifikim dosjesh dhe grabitje tokash, gjyqtarja ka lidhje të drejtpërdrejta interesi me eksponentë të pushtetit dhe oligarkë që përfitojnë pasuri, fonde shtetërore dhe leje ndërtimi për kulla e resorte.
Sipas dokumenteve zyrtare që po publikon “Pamfleti”, Megi Strakosha është futur në Shkollën e Magjistraturës dhe është emëruar gjyqtare me paratë e pista të babait, hajdutit të tokave. Bashkëjetuesi i saj, Marsel Llukmani, rezulton të jetë anëtar dhe ekspert në Komisionin Parlamentar “Anti-SPAK – Xhafaj”.
Nuk dihet se çfarë roli konkret ka një inxhinier ndërtimi në komisionin që mbikëqyr institucionet e drejtësisë, por fakti që Llukmani është futur aty si aktivist i fondacionit “Soros” dhe si përfaqësues i shoqatës “Biznes Albania” të Luan Bregasit, tregon se vendimi është marrë për arsye të qarta klienteliste.
Përveç këtij pozicioni, bashkëjetuesi i gjyqtares Strakosha është i punësuar në “Biznes Albania” si “specialist i të drejtës civile”; një funksion fiktiv, pasi kompensimi financiar i tij vjen nga ndërhyrjet që gjyqtarja kryen në çështjet gjyqësore të bizneseve të Bregasit.
Sipas regjistrit tatimor, Marsel Llukmani figuron gjithashtu i punësuar në kompaninë ndërtuese “Sara-El sh.p.k” të Luan Bregasit, me detyrë drejtor projektesh, investimesh dhe menaxhimi në ndërtimin e kullave, pallateve, hoteleve e resorteve.
Para shtatë muajsh, ai është bërë pjesë e stafit drejtues edhe në kompaninë “Galileo”, ndërsa njëkohësisht figuron drejtues në “SET-TourLab”, një projekt që financohet me 100 milionë lekë në vit nga Bashkia e Vlorës si “laborator” për përgatitjen e punonjësve të rinj në sektorin e turizmit.
Jo rastësisht, “ekspert” në këtë projekt fantazmë është edhe Vasillaq Strakosha, babai i gjyqtares Megi Strakosha, i cili më parë është dënuar nga SPAK për falsifikim dosjesh pronësie në Himarë.
Rrjetet e lidhjeve të familjes Strakosha me Luan Bregasin janë të dokumentuara në disa pazare dhe projekte ndërtimi që kanë marrë miratimin e drejtpërdrejtë të qeverisë. Pikërisht përmes këtyre lidhjeve, bashkëjetuesi i gjyqtares është futur në komisionin “Anti-SPAK – Xhafaj”, ku paguhet me miliona lekë për të firmosur formalisht aktet e pushtetit kundër drejtësisë.
Gjurmët e këtyre lidhjeve shkojnë deri në tokat e vjedhura në Himarë nga babai i gjyqtares, që më pas janë kaluar për ndërtimin e resorteve të grupit “Bregasi”, ashtu siç ndodhi me dosjen e falsifikuar të tokës që përfitoi Olta Xhaçka, për të cilën Strakosha u arrestua dhe u dënua nga SPAK.
Shtatë muaj pas arrestimit, më 22 korrik 2021, Vasillaq Strakosha krijoi kompaninë “Strakosha Attorneys sh.p.k.”, përmes së cilës, sipas të dhënave nga agjencitë gjurmuese, qarkullojnë miliona lekë nga korrupsioni dhe shitja e tokave të grabitura në zonën e Himarës./Pamfleti