Dy nga ish-gjyqtarët e Kushtetueses, Bashkim Dedja dhe Fatos Lulo kërkojnë të hiqet sekuestroja për pronat e tyre. SPAK po i heton ata për fshehje pasurie dhe Gjykata e Posaçme në maj të këtij viti vendosi sekuestrimin pasurive për ta.
Dosja shkoi në gjykatë për gjykim dhe u kthye mbrapsht nga GJKKO, ndërsa së fundmi ish-gjyqtarët kanë bërë një padi në Gjykatën e Lartë, ku kërkojnë të hiqet sekuestroja e pronave për ta. Ish-gjyqtari Dedja kërkon heqjen e masës së sekuestros për një apartament në plazhin e Golemit, ndërsa ish-gjyqtari Selimi për pjesët takuese të tij në tre sipërfaqe trualli prej gati 3500 m2 në total, si edhe në 2 karburante në Vlorë.
Shorti i Gjykatës së Lartë ka përcaktuar gjyqtarët Albana Boksi dhe Sokol Binaj si relatorë të dy çështjeve, shqyrtimi i të cilave pritet të ndodhë në ditët në vijim. “Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në datën 7.5.2020 regjistroi procedimin penal nr.137 për veprën penale të “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim” të parashikuar nga neni 257/a/2 të Kodit Penal.
Duke qënë se shtetasit Fatos Lulo (ish – gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese), Bashkim Dedja (ish – Kryetar në Gjykatën Kushtetuese) dhe Shkëlzen Selimi (ish – gjyqtar në Gjykatën e Lartë), janë hetuar, për kryerjen e veprës penale të parashikuar nga neni 257a/a/2 të Kodit Penal, dhe për këtë arsye në bazë të nenit 3/1, gërma (d), të ligjit nr.10192 datë 03.12.2009 “Për parandalimin dhe Goditjen e Krimit të Organizuar dhe Trafikimit Nëpërmjet Masave Parandaluese kundër Pasurisë”, ata janë dhe subjekte të këtij ligji. Nga hetimi penal i kryer, rezultuan të dhëna që këta subjekte kishin në pronësi pasuri të paluajtshme, të cilat nuk i justifikonin me burime të ligjshme, apo pasuri që i kanë fshehur”, njoftoi SPAK disa muaj më parë.