Gjyqtarët dhe prokurorët e shkarkuar nga vetingu vazhdojnë të përfitojnë nga benefitet e postit të tyre edhe pas vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Edhe pse KPK i ka përjashtuar nga sistemi i drejtësisë për 15 vite, të shkarkuarit që i janë drejtuar Kolegjit të Posaçëm të Apelimit për të apeluar vendimin vijojnë të marrin pagë.
Deri në momentin që KPA të shprehet me vendim përfundimtar, të shkarkuarit quhen si të pezulluar nga detyra dhe përfitojnë pagë pjesërisht.
Ndërsa ata që janë shkarkuar nga KPK, por nuk kanë ankimuar në KPA, nuk e kanë patur këtë përfitim. Një fakt i tillë është evidentuar në raportin vjetor të Këshillit të Lartë Gjyqësor. Aty thuhet se derisa KPA të shprehet me vendim, gjyqtarët dhe prokurorët quhen “de jure” në detyrë.
“Aktualisht ka njënumër gjyqtarësh të cilët “de jure” janë në detyrë dhe paguhen pjesërisht për shkak se pas përfundimit të procesit të vlerësimit në instancat e Shkallës së Parë (Komisionit të Pavarur të Kualifikimit) këta gjyqtarë janë pezulluar nga detyra deri në një vendim përfundimtar nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit, ndërsa “de facto” këta gjyqtarë nuk janë në detyrë, pra nuk kontribuojnë në shqyrtimin dhe evadimin e çështjeve gjyëqsore.
Këshilli i Lartë Gjyëqsor është i angazhuar të mbështesë procesin e vetingut dhe bashkëpunojë me institucionet përgjegjëse që jo vetëm të pastrojë sistemin nga gjyqtarët e korruptuar, por edhe të ruajë funksionalitetin e gjykatave sepse mungesa e këtyre të fundit cenon mjetet e brendshme efektive dhe aksesin në drejtësi për qytetarët”, thuhet në raportin e KLGJ.
Zbardhet lista
Gazeta ka siguruar listën e të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve që edhe pse janë të shkarkuar nga detyra me vendim të KPK, janë ende në pritje të vendimit të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit e rrjedhimisht përfitojnë ende një pjesë të pagës. Në KPA janë 42 çështje për të cilat s’ka ende një vendim, nga ku 30 çështje iu përkasin emrave të shkarkuar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.
Pra, janë 30 gjyqtarë dhe prokurorë që vetëm për shkak se janë drejtuar në KPA për të ankimuar vendimin e KPK, quhen si të pezulluar nga detyra dhe përfitojnë një pjesë të pagës akoma. Në listën prej 30 gjyqtarësh e prokurorësh që presin vendimin përfundimtar të KPA figurojnë edhe një sërë emrash të njohur. Ndërmjet tyre vlen të përmendim ish-gjyqtarin e Gjykatës së Lartë, Artan Broci.
Ai u shkarkua nga KPK për shkak të problemeve të shumta me pasurinë vitin e kaluar, por edhe pse ka kaluar një vit, KPA s’ka marrë ende vendim. Kjo do të thotë se për një vit Broci ka marrë pagë, edhe pse i shkarkuar. Në listë është edhe emri i Dritan Rreshka, që deri para se të shkarkohej nga KPK, drejtonte Prokurorinë e Tiranës.
Mes përfituesve të pagës, pavarësisht vendimit të shkarkimit të dhënë nga KPK është edhe ish-prokurori i Prokurorisë së Përgjithshme, Ramadan Troci, i cili njihet si hetuesi i dosjeve të mëdha. Ai ka firmosur urdhrin për arrestimin e ish-Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani.
Nga ana tjetër kemi edhe ish-kryetarin e Gjykatës së Apelit të Tiranës, Hysni Demiraj që është përfitues page sepse ka statusin “i pezulluar”. E njëjta gjë është edhe për një sërë ish-krerë gjykatash e prokurorish, mes të cilëve mund të përmendim: Entela Priftin, Izet Kadanën,
Admir Belishtën, Alltun Çelën, Arben Zefin, Çlirim Shahinin, etj. Që të gjithë ata, por edhe emra të tjerë, vazhdojnë të fusin në xhepat e tyre një pjesë të mirë të pagës, edhe pse kanë disa muaj që janë shkarkuar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Tani topi është në fushën e KPA, që duhet të japë sa më parë një vendim përfundimtar për ta.
Ja 30 të shkarkuarit që vazhdojnë të marrin pagë
1. Bledar Abdullai, ish-gjyqtar i Gjykatës së Tiranës
2. Artan Broci, ish-gjyqtar i Gjykatës së Lartë
3. Bujar Hoti, ish-prokurori i Apelit të Durrësit
4. Ervin Metalla, ish-gjyqtari i Apelit të Tiranës
5. Dritan Rreshka, ish-kryeprokuror i Tiranës
6. Ahmet Jangulli, ish-gjyqtari i Gjykatës Administrative të Shkodrës
7. Sotiraq Lubonja, ish-gjyqtari i Apelit të Korçës
8. Alma Liçaj, ish-kryegjyqtare e Apelit të Vlorës
9. Ramadan Troci, ish-prokuror i Prokurorisë së Përgjithshme
10. Entela Prifti, ish-kryetare e Gjykatës së Apelit Korçë
11. Artor Ylli, ish-ndihmës ligjor në Gjykatën Administrative
12. Shpëtim Kurti, ish-prokuror i Tiranës
13. Artur Selmani, ish-prokuror i Prokurorisë së Përgjithshme
Mimoza Ibra