Ndërkombëtarët kanë filluar të përgatisin terrenin për ngritjen e organeve të reja të drejtësisë. Sipas kërkesave të BE, Struktura e Posaçme Antikorrupsion dhe Byroja Kombëtare e Hetimit duhet që të jenë gati brenda qershorit 2019.
Komisioni i vetingut ka përshpejtuar procedurat, por dilemat janë nëse do gjenden persona që plotësojnë kushtet për të qenë pjesë e organeve që do të pastrojnë vendin nga korrupsioni. Por SHBA-BE janë duke dëshmuar se nuk do të lejojnë të ndiqet e njëjta rrugë si me KLGJ e KLP, ku u rihap gara me dhjetra herë.
Ndërkombëtarët prej muajsh kanë nisur trajnimet për individë të caktuar në gjyqësor e prokurori, në mënyrë që ata të jenë të aftë për të luftuar korrupsionin. Së fundmi në Tiranë PAMECA ka sjellë disa ekspertë që janë duke u marrë me trajnime sa i takon pastrimit të parave. “PAMECA V organizoi një konferencë mbi “Hetimin dhe Ndjekjen e Veprave të Pastrimit të Parave“. Kjo konferencë mblodhi së bashku përfaqësuesit e agjencive të zbatimit të ligjit si nga Drejtoria e Përgjithshme e Pastrimit të Parave, Policia e Shtetit Shqiptar, prokurorë dhe zyrtarët e policisë gjyqësore për të diskutuar problemet me të cilat ballafaqohet zbulimi, hetimi dhe ndjekja e veprave penale të pastrimit të parave, kuadri aktual ligjor vendas dhe sfidat e ardhshme.
Kjo konferencë shërbeu si një platformë për të diskutuar midis aktorëve relevantë status quo-në aktuale lidhur me veprat penale të pastrimit të parave, punën e përditshme të Drejtorisë së Përgjithshme të Pastrimit të Parave në mbledhjen, shpërndarjen dhe analizën e informacionit financiar dhe sfidat e përbashkëta përpara”, thuhet në një njoftim të shpërndarë për mediat. Gazeta ka mësuar se të gjithë personat që po angazhohen në trajnime muajt e fundit pritet që të garojnë për organet e reja antikorrupsion, pasi ata gëzojnë dhe mbështetjen e ndërkombëtarëve.
Gjetja e parave
Vetë PAMECA ka bërë të ditur se vijon të mbetet problem pastrimi i parave. Ndërkombëtarët e kanë thënë se ka shumë zyrtarë me para të pista, disa prej të cilëve i kanë nxjerrë e jashtë vendit. Në këtë mënyrë BE tashmë ka nisur trajnimet që paratë e pushtetarëve të gjenden me nisjen organeve të reja. “Në Konferencë u diskutuan problematikat e hasura deri më tani në luftën kundër pastrimit të parave. Ekspertët ndërkombëtar të ftuar nga PAMECA V prezantuan për audiencën, qasjen ndërkombëtare nda luftës kundër pastrimit të parave si dhe legjislacionin aktual të BE-së.
Hetimi dhe ndjekja penale e pastrimit të parave ende mbetet një sfidë për shkak të natyrës së saj komplekse. Përpjekjet e përbashkëta dhe bashkëpunimi i ngushtë i strukturave të përfshira do të ndihmojnë në gjetjen e hetimeve efektive dhe të suksesshme të kombinuara me trajnimin profesional të këtyre strukturave”, thuhet në deklaratë.
Të angazhuar kanë qenë dhe amerikanët. Sipas burimeve pak kohë më parë edhe ata kanë sjellë ekspertë në Tiranë dhe janë duke trajnuar ekspertë, të cilët do jenë pjesë e SPAK. Bëhet fjalë për kontabilistë, financierë, policë gjyqësorë, etj, të cilët do angazhohen drejtpërdrejt në zbulimin e parave të korrupsionit.