Mundësitë e Shqipërisë dhe Maqedonisë për të marrë një përgjigje pozitive për negociatat për këtë vit kanë mbetur vetëm në letër.
Kjo pasi ambasadorët e shteteve anëtare të unionit nuk kanë rënë dakord për një tekst të dakordësuar për sa i përket vendit tonë, ku Holanda ka kërkuar plotësimin e kushteve nga qeveria shqiptare të vendosura në mars nga Këshilli Europian, si dhe për shkak të mungesës së dakordësisë së Bullgarisë për Traktatin e Miqësisë me Maqedoninë e Veriut.
Kështu që në këtë fazë nuk mund të thuhet as nëse do të mund të ketë konkluzione për zgjerimin gjatë takimit të ministrave të çështjeve europiane më 8 dhjetor. Mësohet se sot do të ketë një diskutim të shkurtër, vetëm 10 minuta ç’ka tregon se nuk ka dakordësi mes shteteve për kuadrin negociues të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
“Nuk është e pamundur që çështja e zgjerimit të mos ngrihet, por agjenda është tashmë e plotë”, u shpreh dje në Bruksel një zyrtar i lartë. Ndërkohë në lidhje me këtë çështje ditën e djeshme ka treguar edhe Berlini.
Ka qenë presidenca gjermane e Këshillit të Bashkimit Europian, e cila thotë se ata janë të irrituar nga pamundësia e përparimit në çështjen e kornizës negociuese për Maqedoninë e Veriut, e cila, të paktën tani për tani, ka bllokuar procesin e miratimit të konkluzioneve për të gjitha vendet e zgjerimit.
Madje, zyrtari i presidencës gjermane deklaroi se për shkak të bllokimit të kornizës negociuese për Maqedoninë e Veriut, edhe Shqipëria është bllokuar. “Jemi të zhgënjyer që nuk arritëm marrëveshje për kuadrin negociues për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Ne bëmë gjithçka që kishim në dorë për të gjetur kompromise lidhur me kuadrin negociues me Maqedoninë e Veriut. Jemi të zhgënjyer që Bullgaria bllokon.
Kjo e bën të pamundur aprovimin e kuadrit negociues dhe konkluzionet për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ka patur disa shtete anëtare që kërkuan që të paktën të aprovohej së paku kuadri negociues me Shqipërinë. Edhe kjo nuk është e mundur. Gjë që bën që diskutimi për të dyja vendet të kalojë si një pikë AOB. Çdo çështje tjetër, gjatë të takimit të ministrave të çështjeve europiane nesër”, tha diplomati i lartë i BE.
Megjithatë, në Bruksel, ata vërejnë se negociatat po vazhdojnë, por se nuk ka shumë optimizëm rreth rezultatit pozitiv deri në fund të vitit. Ndërkohë, kujtojmë se funksionimi i Gjykatës Kushtetuese dhe Ligji i Medias janë dy detyrat që Shqipëria duhet të plotësojë para se të marrë një datë për konferencën e parë ndërqeveritare.