Në fillim të këtij muaji sekretari britanik David Davis kërkoi që Britania e Madhe të mbetet në skemë pas Brexit, me arsyetimin se ajo kishte ekstraduar më shumë se 10 000 kriminelë që nga fillimi i zbatimit të saj.
Michael Barnier, kryenegociatori europian për Brexit ka deklaruar se Britania e Madhe nuk do të jetë më pjesë e skemës europiane për urdhër-arrestet që ekstradojnë të dyshuarit për krime, pasi ata të largohen nga Bashkimi Europian.
“Por, kjo nuk do të thotë se ne nuk mund të punojmë së bashku për ekstradimin”, shtoi Barnier duke vënë në dukje se procedurat ekzistuese jashtë kuadrit të BE mund të unifikoheshin.
Kjo skemë është përdorur për të ekstraduar terroristët pas sulmeve në Paris dhe Bruksel përpos të tjerave, raporton ATA.
”Por, vijat e kuqe të Britanisë së Madhe në Brexit – përfshirë edhe daljen nga juridiksioni i Gjykatës Europiane të Drejtësisë – nënkuptojnë që Britania e Madhe nuk mund të marrë më pjesë në Urdhrin Europian të Arrestimit”, tha Barnier gjatë një takimi në Vjenë.
Ai tha gjithashtu se Britania e Madhe nuk mund të qëndrojë më në Europol dhe Eurojust, dy agjencitë e BE-së përkatësisht për policinë dhe drejtësinë, duke vënë në dukje se të dyja duhej të ristrukturonin bashkëpunimin në një mënyrë tjetër.