Miratimi sa më parë nga parlamenti i marrëveshjes së 5 qershorit për Bashkimin Europian është një kusht i panegociueshëm në rrugën drejt unionit.
Ky ka qenë mesazhi që ka dhënë për klasën politike ambasadori i BE-së Luigi Soreca, duke kërkuar që fryma e atij dokumenti të vijojë mes palëve.
“BE e ka përshëndetur marrëveshjen e 5 qershorit. Ishte arritje e madhe, një proces gjithëpërfshirës. Tani është thelbësore që kjo marrëveshje të miratohet sa më shpejt.
Ky është prioritet kryesor, pasi marrëveshja parashikon iniciativën e krijimit të KQZ dhe identifikimin biometrik, i cili duhet nisë sa më shpejt.
Ne e ftojmë Parlamentin ta miratojë këtë marrëveshje, menjëherë. Reforma elektorale është një kusht thelbësor për të nisur negociatat”, tha ai.
Por për ambasadorin Soreca, ndryshimet kushtetuese për listat e hapura dhe heqjen e koalicioneve parazgjedhore, edhe pse janë jashtë kërkesave të OSBE/ODIHR-it, mund të jenë pjesë e dialogut mes palëve, sikundër fryma bashkëpunuese që çoi në arritjen e marrëveshjes së 5 qershorit.
“Këto ndryshime të sistemit elektoral do të duhet të kenë konsultimet e duhura. Ndërkohë që ne e njohim plotësisht rolin e Parlamentit për të miratuar elementë shtesë të reformës elektorale për ndryshimin e sistemit, ne inkurajojmë të gjitha palët të përfshira për të vazhduar diskutimet dhe dialogun me të njëjtin shpirt bashkëpunues dhe një mekanizëm gjithëpërfshirës të treguar gjatë marrëveshjes së 5 qershorit. Gjithëpërfshirja është thelbësore kur bëhet fjalë për reformën elektorale”, tha ai.
Këto deklarata ambasadori Soreca i bëri nga Vlora, gjatë lançimit të fushatës “Europa është këtu”.