Qeveria e Kosovës është duke u përballur me një presion të gjithëanshëm në lidhje me lejim e mbajtjes së referendumit serb në territorin e Republikës së Kosovës, fakt që është kundërshtuar me forcë nga autoritetet kosovare si një veprim antikushtetues.
Pas deklaratës të së enjtes së shefit të diplomacisë europiane Josep Borrell, i cili kërkoi mbajtjen e referendumit dhe lehtësimin e procesit nga OSB, në të njëjtën mënyrë siç është vepruar edhe më parë nga qeveritë paraardhëse të Kosovës, dje ishin vendet e Quintit ato që dolën me një deklaratë mbi këtë çështje.
Me anë të një deklaratë të përbashkët, vendet anëtare të Quintit, Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Franca, Italia, Mbretëria e Bashkuar si dhe Bashkimi Euriopian, kanë kërkuar mbajtjen e referendumit për ndryshimet gjyqësore në Serbi dhe kanë propozuar që qeveria Kurti të lejojë OSBE-në të organizojë referendumin.
“I bëjmë thirrje qeverisë së Kosovës që të lejojë serbët në Kosovë të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në zgjedhje dhe procese zgjedhore në përputhje me këtë praktikë të vendosur”, thuhet në deklaratë. Vendet e Quintit kanë bërë thirrje që Kosova dhe Serbia të përmbahen nga veprimet dhe retorikat që rrisin tensionet dhe të angazhohen në dialog.
“I bëjmë thirrje qeverive të Kosovës dhe Serbisë që të përmbahen nga veprimet dhe retorika që rrisin tensionet dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Është e rëndësishme që të dyja qeveritë të arrijnë progres drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse që hape perspektivën e BE-së dhe rrit stabilitetin rajonal”, thuhet në deklaratë. Deklarata e vendeve anëtare të Quintit është mbështetur ditën e djeshme edhe nga Shtetet e Bashkuara. Në faqen zyrtare online të Departamentit Amerikan të Shtetit, është shpërndarë deklarata e mësipërme e Quintit.
Reagimet nga Kosova
Në lidhje me referendumin, Kryeministri Albin Kurti, Presidentja Vjosa Osmani dhe Kryetari i Parlamentit të Kosovës Glauk Konjufca, kanë reaguar me anë të një deklarate të përbashkët. Pas një takimi me ambasadorët e vendeve anëtare të Quintit, institucionet kosovare kanë vendosur të dalin me një qëndrim të unifikuar.
Referuar deklaratës së përbashkët, bëhet me dije se në takim është ritheksuar se qytetarët serb të Kosovës me dyshtetësi, do ta kenë të drejtën të votojnë në përputhje me standardet dhe praktikat ndërkombëtare, pra nëpërmjet postës dhe në Zyrën ndërlidhëse. “Institucionet bënë të qartë se hapja e qendrave të votimit të Serbisë në territorin e Kosovës përbën shkelje të qartë të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, si dhe praktikave ndërkombëtare”, thuhet në deklaratë.
Zyrtarët e lartë të Kosovës, kanë theksuar se një akt i tillë si ky referendum është shkelje e integritetit territorial nga ana e Serbisë në raport me shtetin e pavarur e sovran të Kosovës. Ata i kanë bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që në raport me Kosovën të aplikohen standarde të njëjta sikurse me çdo shtet tjetër, meqë pavarësia e saj jo vetëm që është njohur nga shumica e vendeve demokratike të botës, por edhe është vulosur nga GJND-ja.
“Kushtetuta e Kosovës, ligjet e aplikueshme në Kosovë si dhe e drejta ndërkombëtare dhe praktika ndërkombëtare, nuk e njohin të drejtën e një shteti për të realizuar referendum në territorin sovran të një shteti tjetër. Prandaj, praktikat e deritanishme të aplikuara që nga viti 2012, kanë qenë kundërkushtetuese, e si rrjedhojë nuk i obligojnë institucionet e tanishme të Republikës së Kosovës të dala nga vullneti i qartë i qytetarëve i shprehur më 14 shkurt 2021.
Aq më tepër kur këto praktika kanë rezultuar vetëm me fuqizimin e strukturave ilegale të Serbisë në Kosovë”, thuhet në deklaratë. Në të sqarohej se çështja nuk qëndron në moslejimin e OSBE-së të organizojë procesin, siç ndërkombëtarët kanë pretenduar, por se çështja qëndron më thellë.
“Institucionet e Kosovës kanë theksuar se çështja nuk është roli i OSBE-së, por roli i Serbisë dhe strukturave të saj paralele e ilegale në Kosovë. Sepse, para se OSBE-ja të bënte mbledhjen e votave, do të mbahej një proces tërësisht ilegal i hapjes së qendrave të votimit e kutive të votimit në territorin e Republikës së Kosovës për një referendum të një shteti tjetër, pra Serbisë, e ky proces do të organizohej nga strukturat ilegale të Serbisë në Kosovë. Arsyeja pse Serbia insiston t`i hapë vendvotimet edhe në Kosovë është sepse e konsideron Kosovën pjesë të territorit të saj”, thuhet në deklaratë.