Pas lajmit se është shpallur në kërkim Edi Paloka gjeti një banak televiziv për tu bërë i gjallë në lidhje me protestat e opozitës poshtë banesës së Berishës, aksionin opozitar dhe përplasjet më të fundit në Kuvend dhe Parlament.
I pyetur në lidhje me faktin se kush është kryetari i Partisë Demokratike, Paloka tha se, jo vetëm deputetët demokratë, por ka edhe nga ata socialistë, të cilët e kanë pranuar edhe në Uashington se kreu i PD është Sali Berisha.
“Unë besoj se qëndrimet se, qëndrimet jo vetëm të z. Bardhi, por edhe të deputetëve të tjerë kanë qenë mëse të qarta. Por, jo vetëm brenda PD, por së shpejti mbase do të merrni lajmin që, edhe deputetë brenda Partisë Socialiste kanë pranuar edhe në Uashington se, lider i opozitës është Sali Berisha dhe këtë nuk e diskuton njeri.
Pastaj qëndrimet personale, e dua apo nuk e dua Sali Berishën apo Gazment Bardhin, këto janë çështje të tjera. Shumë nga ne sa herë që votojmë për kryetarin apo kryesinë sigurisht që kemi përzgjedhjet tona, kemi zgjedhjet që bën gjithsecili. Nëse dikush nuk e do Berishën si kryetar, nuk do të thotë që nuk e njeh si institucion. PD ka rëndësi që sot është një, ka një qëllim.
Unë mendoj që e gjithë opozita sot është në një front, dhe nuk mund të ndodhë ndryshe. Nëse ne nuk arrijmë të realizojmë këto gjëra që varet vetëm nga ne, për të realizuar bashkimin e opozitës, pastaj është e kotë që të gënjejmë njerëzit e tu themi se jemi në betejë për të rikthyer demokracinë në Shqipëri”, u shpreh ndër të tjera Paloka.
Me deklaratën e tij, Paloka rrëzon pretendimet e Berishës, por dhe gjithë atyre që e ndjekin, se Edi Rama dhe PS njohin Lulzim Bashën si kryetar të PD, madje dhe e ndihmojnë dhe bashkëpunojnë me të.
Paloka nuk sqaroi vetëm një detaj të vogël: Përse është fshehur dhe nuk mer pjesë as në thyerjen e karrigeve dhe as në vajtimet e përnatëshme te xhamia e Hoxhë Saliut?!