Nga Auron Tare
Kur fleta e censusit të më vijë te dera.
Ndoshta hera e parë që do të mendohesha përpara fletës së Censusit. Dikur në kohën e Berishës së dytë talleshim me Artan Lamen mbi pyetjet e Censusit.
Por kohët kanë ndryshuar, Lamja nuk para shkruan më dhe një Census i ri na ka mbërritur në derë. Çfarë jam, çfarë dua të jem dhe çfarë mund të jem është në një farë mënyrë thelbi i këtij apeli të ri mbi popullatën.
Për herë të parë kam një dilemë, dilemë kjo e shtyre nga realiteti i sotëm dhe përqasja ndaj dy ngjarjeve thellësisht shqiptare.
Fredi Bejleri një ish-banor i fshatit të Progonatit në malësitë e thella të Tepelenës, i vetëshpallur si grek, i akuzuar (por jo i dënuar) si pjesëtar i grupeve terroriste anti- shqiptare, i zgjedhur në mënyrë demokratike si Kryetar i Bashkisë së Himarës, me mbështetjen politike të një ish-Kryeministri dhe Presidenti të Shqipërisë, tashmë në burg. Për ta çuar në karrigen e fituar Belerin e Progonatit është hedhur në sulm diplomacia helene në nivelin më të lartë të mundshëm.
Beleri është një emër i njohur në kancelaritë euro atlantike dhe personalitete të shquara të politikës greke vijnë çdo javë në Shqipëri, për t’i bërë presion opinionit publik dhe politikës shqiptar.
Dritan Goxhaj, shqiptar, ish-anëtar i UÇK-së i cili në kohen më kritike për kombin e tij iu përgjigj thirrjes së ndërgjegjes kombëtare. Shërbeu në ushtrinë guerile dhe pasi lufta mbaroi dhe Kosova u bë e pavarur vazhdoi jetën e tij modeste pa kërkuar as shpërblime dhe as medalje. Sot është në burgjet e shtetit të tij për një intervistë (në median e lirë dhe të pavarur demokratike ku presupozohet të thuash mendimin tënd).
Për Goxhaj nuk interesohet askush nga diplomacia jone (të paktën publikisht) as ish-Kryeministri dhe Presidenti i Republikës. Po ashtu si opinioni publik si politika nuk kanë ndonjë interes të dukshëm për çështjen e tij.
Për Goxhajn nuk ka as shoqatë avokatesh që të mbrojnë publikisht, as Kryetare Bashkish dhe as Kryeministra. Dritani është i vetëm në qeli, dhe për ironi të fatit ndoshta shumë afër me qelinë e Belerit nga Progonati. Grek apo shqiptar? Kjo është çështja sot.