Një nga misteret që vijon të rrethojë kandidatin e dyshes Berisha-Meta për Bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi, i shfaqur si ‘investigues’ pranë SHQUP-it, (përveç falsifikimit të diplomës së shkollës së mesme, masterit dhe mosdeklarimit të pasurisë së partneres), është se me çfarë të ardhurash jeton dhe mundëson luksin. Ndonëse i papunë prej gati dy vitesh, pra pa pagën si deputet i PD-së, Belind Këlliçi vazhdon të bëjë jetën luksoze si dhe të ekspozojë luksin e pajustifikuar me të ardhura të ligjshme, duke sfiduar jo vetëm opinionin publik, por edhe SPAK-un që ka nisur së fundmi një hetim rreth tij.
Natën e ndërrimit të vitit dhe ditën e parë të vitit të ri, Belind Këlliçi publikoi dy foto, të parën me partneren e tij Anna Shkreli, të cilën e mohoi kur doli nga dera e SPAK-ut, si dhe të dytën me familjen dhe partneren. Në foton e dytë, Belind Këlliçi, i njohur edhe si Belo Ezmeri, nofkë që ia ka vendosur Sali Berisha, shfaqet me një orë, e cila kushton mbi 40 mijë euro.
Bëhet fjalë për një orë të markës Royal Oak Chrono, të cilën Belind Këlliçi e mban në dorë, në foton e publikuar ditën e sotme. Nga një verifikim rezulton se një orë e tillë kushton 41 500 euro.
Me një orë të tillë, e cila kushton sa paga e dy viteve të një deputeti, Belind Këlliçi është shfaqur edhe në aktivitete politike. Madje, me orën 40 mijë euro në dorë, Belind Këlliçi është shfaqur edhe duke ‘denoncuar korrupsionin’ para Bashkisë së Tiranës.
Javën e kaluar, Belind Këlliçi dha llogari për dy orë në SPAK për falsifikimin e dyshuar të diplomës së gjimnazit, për burimin e shpenzimeve në fushatë dhe për mosdeklarimin e pasurisë së partneres së tij, Anna Shkreli. Këlliçi duket se është kujdesur, duke hequr orën luksoze, me sa duket për të mos tërhequr vëmendjen e hetuesve të BKH-së dhe të prokurorit Elvin Gokaj, të cilët janë trajnuar nga amerikanët që të kushtojnë vëmendje veshjeve të politikanëve të dyshuar si të korruptuar.
Këlliçi është i papunë që nga fillimi i vitit 2023, kur hoqi dorë nga mandati i deputetit, për të garuar për Bashkinë e Tiranës, ku humbi me 60 mijë vota diferencë. Por, pavarësisht kësaj, Këlliçi nuk i ka ndalur shpenzimet mijëra euro, si mbjellja e flokëve, pushimet luksoze me jaht, vizita në SHBA, foto 25 mijë USD me Trump etj., që nuk dihet se nga e kanë burimin këto para dhe kush e financon Belon.