Belinda Balluku “magjistare” e tenderave të Shqipërisë, si ia anuloi kontratën e tunelit të Llogarasë në mënyrë antiligjore firmës “Gjoka” dhe ia dha kompanisë turke, brenda një nate i dhuroi 30 milionë euro njeriut të Erdogan, pse SPAK duhet të veprojë
Ministrja e Energjitikës dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku, e cila ndodhet në këtë post me bekimin e kryeministrit Edi Rama, rezulton të jetë një “magjistare” e vërtetë për “gllabërimin” e fondeve dhe përfitimin përmes tenderave. Dosjet e saj po bëhen mal në SPAK dhe afera që pritet ta fundosë është kontrata abuzive e tunelit të Llogarasë, ku me një të rënë lapsit, shtoi 30 milionë euro, të cilat shkuan te njeriu i presidentit turk Erdogan sipas direktivave të Ramës.
Skandali
Në mars të vitit 2021, qeveria shqiptare tenderoi për herë të parë ndërtimin e tunelit të Llogarasë me fond limit 19 miliardë lekë ose 190 milionë euro me kursin e sotëm. Në tender u paraqitën 6 oferta ku më e ulëta ishte ajo e kompanisë shqiptare Gjoka Konstruksion me 14 miliardë lekë ose 140 milionë euro. Por ministrja Belinda Balluku e anuloi tenderin me arsyen zyrtare se asnjëra nga ofertat nuk ishte e përshtatshme. Tuneli i ritenderua në korrik të vitit 2021. Qeveria shpalli fitues të garës bashkimin e dy kompanive turke, por këtë herë me vlerën 17 miliardë lekë ose 170 milionë euro. Pra 30 milionë euro më shumë se oferta në tenderin e parë që u anulua. Por skandali në këtë mes nuk mbaron me kaq.
Tuneli i Llogarasë u ndërtua përmes nënkontraktimeve nga kompania “Gjoka” që dha ofertën 140 milionë euro në tenderin e parë të anuluar në mënyrë anti-ligjore nga Balluku. Kompania turke dyshohet se veproi kryesisht si ndërmjetës, duke përfituar diferencën prej 30 milionë eurosh. Pra qytetarët shqiptarë paguan 170 milionë euro, pasi 30 milionë shkuan si divident në Ankara. Punimet i bëri e njëjta kompani dhe Balluku detyrohet të fusë në tender sërish “Gjokën”, kompani që u refuzua në fillim edhe pse paraqiti ofertë më të ulët se kompania turke. Nga analiza e pasqyrave financiare për vitet 2021 – 2024, kompania turke ka deklaruar se ka fituar në total gati 30 milionë euro, ndërkohë që në detajimin e zërave të shpenzimeve rezulton se 97.5% – 99% janë pagesa të kryera për nënkontraktim, pra kompanisë “Gjoka Konstruksion” sh.a.
Ekzistojnë të dhëna, përfshirë dëshminë publike të Arben Ahmetajt, një prej pjesëmarrësve në takim, se kompania fiktive turke u paracaktua si fituese në një takim në Ankara, Turqi, të zhvilluar në datën 3 Qershor 2021, pra 21 ditë para rishpalljes së tenderit. Gazeta “SOT” e raportoi në artikullin e fundit, se Balluku zbatoi me përpikmëri porosinë që i la Edi Rama. Brenda asaj nate, kompania në pronësi të Abdulkadir Kart, ish-deputet i AKP-së në Rize, krahu i djathtë dhe njëherazi fqinj i Erdogan, i cili ka marrë tendera të shumtë edhe në Turqi, fitoi 30 milionë euro nga buxheti i shtetit në Shqipëri
Hetimi i SPAK
Kjo është tarifa më e madhe që është regjistruar ndonjëherë në një punë publike në Shqipëri. Një pazar 30 milionë euro, që u gatua në hotelet e Ankarasë. SPAK (Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar) duhet të ndërmarrë veprime kundër përgjegjësve të skandalit të Tunelit të Llogarasë pasi ky është një shembull i qartë i shpërdorimit të burimeve publike dhe dëm ekonomik ndaj qytetarëve Fakti që kompania fituese ishte e lidhur me një takim të paracaktuar në Ankara dhe që tenderi i parë u anulua në mënyrë të dyshimtë sugjeron favorizim. Kjo cenon integritetin e procesit të tenderimit publik, një komponent jetik për qeverisjen e ndershme dhe të hapur.
Nëse rastet e tilla mbeten pa ndëshkim, ato mund të krijojnë një precedent negativ për abuzime të ngjashme në të ardhmen. Kjo ul besimin e qytetarëve tek institucionet dhe rrit perceptimin për mosndëshkueshmëri të korrupsionit. SPAK duhet të sigurojë që drejtësia të vihet në vend dhe që përgjegjësit të mbajnë përgjegjësi, jo vetëm për ndëshkimin e të shkelësve, por edhe për të siguruar që fondet publike të menaxhohen me përgjegjësi dhe transparencë./Sot