Biznesmeni italian Davide Pecorelli u shfaq para medieve 260 ditë pasi ishte zhdukur teksa ishte në një udhëtim në Shqipëri. Ai u filmua teksa po shkonte për të takuar ish-gruan e tij të parë dhe fëmijët.
Ai u zhduk në janar të këtij viti, duke lënë pas partneren e tij shqiptare dhe djalin vetëm 1 vjeç. Por krejt papritur, pasi ishte menduar i vdekur në një zjarr në makinë, në mos i vrarë, ai u shfaq në një skaf të dëmtuar, me flokë të gjatë dhe dokumente false në ishullin e Montekristos.
Sipas medieve italiane, ai do të dëshmojë sot përpara prokurorëve. Zhdukja nuk është një krim, por ai mund të hetohet për inskenimin e vrasjes së tij.
Hetimet paraprake hedhin dyshime se ai e ka inskenuar vrasjen e tij për shkak të problemeve financiare.
Por nëse është zhdukur për të përfituar siguracionin e jetës, përse ai donte të mos gjendej dhe u shfaq vetëm kur u dëmtua skafi i tij? Mbi të gjitha, përse e dha menjëherë identitetin e tij të plotë kur u pyet nga ushtarët, duke kërkuar që të fliste me hetuesit?
Mediat italiane thonë se problemet e tij mund ta kenë vendosur në vështirësi, madje edhe në rrezik.