Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ka reaguar pas deklaratave të ish-prokurorit Eugen Beci në emisionin “Top Story”, ku u diskutua kontrata koncesionare e instrumenteve kirurgjikale.
Në një reagim të gjatë, Beqaj kundërshton interpretimet e bëra në studio dhe argumenton se në vendimet e saj Gjykata e Posaçme ka hyrë në vlerësime që, sipas tij, i përkasin pushtetit ekzekutiv dhe jo gjykimit penal.
Ai gjithashtu thekson se ndaj tij nuk është ngritur asnjë nga veprat penale tipike për një ministër dhe mbron kontratën koncesionare duke pretenduar se ajo ka sjellë përfitime konkrete për sistemin shëndetësor dhe ekonominë.
Reagimi i plotë:
Nga Ilir Beqaj
I nderuar zoti Eugen Beci,
Ju kam ndjekur në talkshow-un Top Story të ditës së hënë datë 9 Mars 2026. Në kontekstin e bisedës lidhur me kontratën koncesionare të instrumenteve kirurgjikalë, ju jeni shprehur se SPAK dhe gjykata e posaçme nuk hyjnë në vlerësimin nëse duhej bërë apo jo një kontratë cilado qoftë ajo, por heton dhe gjykon shkelje të ndryshme që përbëjnë vepra penale, në procedurën që çon në lidhjen e kontratës.
Nëse sa keni thënë mund të jenë të vërteta teorikisht, në rastin në fjalë situata është krejt ndryshe. Po ilustroj me episode nga vendime të GJKKO.
Në vendimin nr. 13/69 të GJKKO të datës 23.01.2025 (fq 408-409) thuhet: “Së njëzeti…….. Nga sa rezulton, kjo kontratë nuk është gjë tjetër veçse një mbulim i një Kontrate Prokurimi me afat të gjatë. Pra, marrëdhënia midis koncesionarit dhe Ministrisë së Shëndetësisë është blerja e mallrave dhe shërbimeve të koncesionarit, ku koston më të madhe për shërbimin e përballon shtetit (ujë, drita dhe ambiente pa pagesë). Bazuar në rregullat e prokurimit publik kohëzgjatje e kontratave “Marrëveshjeve kuadër” nuk mund të jetë më shumë se katër vjet dhe ku duhet të ftohen disa operatorë ekonomik.” Ja pra, i nderuar, që gjykimi penal ka hyrë në kompetencat e pushtetit ekzekutiv, sepse prokurim publik apo koncesion është zgjedhje qeverisëse dhe jo objekt gjykimi penal.
Në vendimin nr. 49 të GJKKO të datës 23.06.2023 thuhet (fq 346-347): “Gjykata……. çmon se ky vendim duhet t’i komunikohet Inspektoratit të Lartë për Deklarimin dhe Kontrollin e Pasurive dhe Konfliktit të Interesave në përfundim te hetimeve paraprake, me qëllim marrjen e masave për ndjekjen e rrugës ligjore për konstatimin e pavlefshmërisë së Kontratës Koncesionare datë 10.12.2025”. Përsëri i nderuar, një gjyqtar që duhet të vlerësojë masën e sigurisë për persona në hetim dhe vetëm KAQ, kërkon pavlefshmëri të një kontrate për të cilën është provuar se nuk është lidhur në kushtet e shkeljes së barazisë në tender.
Dihet tashmë që unë kam një akuzë nga SPAK për këtë kontratë koncesionare dhe çështja është në gjykim themeli. Si e tillë seanca është publike. Ama, dihet gjithashtu se pas përfundimit të hetimeve për mua nuk ka akuzë:
– As për korrupsion pasiv te funksionarit të lartë
– As për mashtrim
– As për falsifikim
– As për shpërdorim detyre
– As për ndikim të paligjshëm
– As për shkelje barazie ne tender
Të gjitha vepra penale për të cilat, teorikisht, mund të akuzohet një ministër.
Mqs nuk u gjet asnjë vepër e tillë penale, por Ilir Beqaj nuk ka mundësi të mos ketë bërë diçka, le ta akuzojmë për vjedhje.
Marzhi i dënimit është i lartë dhe personi ndotet publikisht.
Zoti Beçi,
Ju e dini se unë kam qenë ministër i shëndetësisë dhe se akuzohem për vjedhje, prandaj, përveç se çfarë deklaroni teorikisht se si veprojnë SPAK dhe GJKKO, nuk mund t’i shmangeni fakteve konkrete.
Që të akuzosh një ministër për vjedhje do të thotë që ministri është magazinier i sendeve të ndërmarrjes apo arkëtari i të hollave të kasafortës së ndërmarrjes.
Besoj se e dini se ministri nuk është nëpunësi i parë autorizues i ministrisë, por i tillë është sekretari i përgjithshëm i ministrisë. Ministri nuk urdhëron asnjë pagesë.
Ndoshta nuk e dini, por, në rastin konkret, pagesat nuk bëhen nga Ministria e Shëndetësisë, por nga FSDKSH, mbi të cilin ministri nuk ushtron asnjë kompetencë monokratike dhe nuk emëron asnjë punonjës.
Vjedhja mund të ndodhë vetëm gjatë zbatimit të kontratës, ndërkohë që prej dy vjetësh zbatimi i kontratës po hetohet në një procedim penal më vehte.
Keto që po ju them janë fakte publike, prandaj nuk mund t’u vidhesh këtyre fakteve kur merr përsipër të përfshihesh në një talkshow, në prime time, në një televizion kombëtar.
Ju zoti Beçi, si ish prokuror i krimeve të rënda, për kontratat koncesionare të shëndetësisë, dini diçka më shumë se publiku i gjerë. Dini që ato kontrata janë hetuar më parë nga Prokuroria e Tiranës dhe ajo e Krimeve të Rënda dhe se për to ka vendime pushimi ende sot në fuqi. Për këto arsye ju, të paktën, nuk mund të anashkaloni nëpër debate televizive publike faktin e moszbatimit nga SPAK të detyrimeve te nenit 329/c të Kodit të Procedurës Penale. Edhe nëse drejtuesi i talkshow-ut nuk ka dijeni për këtë shkelje flagrante të procedurës penale.
Gjatë atij minutazhi të shkurtër gjatë të cilit u fol për kontratën koncesionare të instrumenteve kirurgjikalë, dëgjova që u fol edhe për kontratë të shtrenjtë. Nuk është hera e parë që e dëgjoj një gjë të tillë.
Por çfarë do të thotë i shtrenjtë apo e shtrenjtë?
Kush e vlerëson këtë gjë?
Kush është pika e referimit?
Jetesa është e shtrenjtë në Tiranë sot, krahasuar me përpara 10 vjetësh.
Jetesa është e shtrenjtë sot në Tiranë, krahasuar me Burrelin apo Pukën.
Nafta është e shtrenjtë në Shqipëri, krahasuar me Maqedoninë e Veriut.
Qershitë janë të shtrenjta në Dhjetor krahasuar me muajin Maj.
Objekti i kontratës koncesionare për të cilën flasim nuk kishte ekzistuar më parë në Shqipëri, kështu që në Shqipëri nuk ka bazë krahasimi.
E vetmja bazë krahasimi janë instrumentet kirurgjikalë dhe autoklavat që datonin nga miqësia e Shqipërisë me Kinën komuniste (viti 1978).
E vetmja bazë krahasimi është shkalla e lartë mikrobike në sallat kirurgjikale në vitin 2013 për të cilat Instituti i Shëndetit Publik rekomandonte që të mbylleshin.
Nëse e krahasojmë me Italinë fqinje, për shembull, i njëjti shërbim në Itali është 35% më i shtrenjtë se në Shqipëri sipas kontratës.
Të nderuar,
Në kontrata koncesionare nuk diskutohet për lirë apo shtrenjtë, por diskutohet për “value for money”. Dmth, nëse për paratë e shpenzuara a ke arritur të marrësh optimumin e përfitimeve. Mund të kesh një kontratë më të lirë, por nëse përfton më pak përfitime do të thotë që kontrata më e lirë nuk paska qenë ajo më e leverdisshmja.
Në 8 Mars 2026 kjo kontratë ka përfunduar. Në kushtet në të cilat ndodhem unë e kam shumë të vështirë të bëj një vlerësim të efekteve 10-vjeçare të kontratës.
Por po ndaj me ju sa vijon:
– Në vitin 2025 janë shërbyer 67,000 (67,127) ndërhyrje kirurgjikale. Falë zbatimit të kontratës ditë qëndrimi në spital i pacientëve të kontratës është ulur me 1.7 ditë (nga 6.5 ditë 4.8 ditë). Kjo do të thotë që janë kursyer 114,000 ditëqëndrimi në spital në një vit.
– Duke arsyetuar se gjysma e popullsisë së vendit është në moshë pune, do të thotë se janë kursyer dhe 57,000 ditë invaliditeti. Duke fituar 57,000 ditë të shëndetshme në vit, kemi fituar dhe 156 vite pune kontribute në ekonomi.
– Falë zbatimit të kësaj kontrate janë kursyer mesatarisht çdo vit 40 jetë (duke shmangur fatalitetet nga infeksionet në sallat kirurgjikale). Është shumë cinike t’i vësh jetës çmim, por sipas tabelave të AMF-së për dëmet që duhet të paguajnë shoqëritë e sigurimeve, jeta e një shqiptari dëmshpërblehet mesatarisht me 7,5 milionë lek. Nëse familjarët e një personi që humb jetën nga infeksioni i marrë në sallat kirurgjikale vendosin të padisin spitalin, minimalisht shteti do të duhet të paguajë 7,5 milionë lekë.
– 40 jetët e shpëtuara çdo vit janë edhe 40 vite pune të fituara atë vit si kontribut në ekonomi.
– Në vitin 2025, çdo person në moshë pune (50% e popullsisë së vendit prej 2.4 milionë banore), ka kontribuar në ekonominë e vendit me një vlerë mesatare 2,2 milionë lekë.
Bazuar në sa më sipër përfitimet ekonomike nga kjo kontratë në vitin 2025 janë:
– 114,000 ditë qëndrimi të kursyera X 10,000 lekë (kosto e një ditë qëndrimi në spital) = 1,140,000,000 lekë
– 57,000 ditë invaliditet të kursyera X 2,400 lekë (invaliditeti mesatar në ditë) = 136,800,000 lekë
– 196 vite të shpëtuara me kontribut në ekonomi X 2,2 milionë lekë = 431,000,000 lekë
– 40 jetë të shpëtuara X 7,5 milionë lekë dëm i munguar = 300,000,000 lekë
Totali sa më sipër është 2,007,800,000 lekë
FSDKSH ka paguar 1,590,000,000 lekë në vitin 2025, që do të thotë se në vitin 2025 nga zbatimi i kësaj kontrate, për çdo 1 lekë të shpenzuar janë përfituar 1,26 lekë.
Sipas konceptit “Value for money”, të thuash që kjo kontratë është e shtrenjtë do të thotë të provosh se përfitimi prej 1.26 lekësh mund të arrihej edhe duke shpenzuar më pak se 1 lekë. Bëjeni këtë analizë dhe nëse arrini në një përfundim tjetër mund të pretendohet që kjo paska qenë një kontratë e shtrenjtë.
Kontraktori u shpall fitues pas një tenderi të hapur ndërkombëtar. Në tender konkurruan dy oferta të vlefshme. Në fund të hetimeve prokuroria nuk ngriti akuzë për shkelje të barazisë në tender, që do të thotë që fituesi ka fituar një garë të drejtë dhe të ndershme.
Bazuar në volumet e shërbimeve të ofruara gjatë gjithë kohës së zbatimit të kontratës, nëse fitues do ishte shpallur konkurrenti tjetër, FSDKSH do kishte paguar edhe 685,000,000 lekë më shumë (5% më shumë)
Kujtdo që do të merret me çështjet e koncesioneve do t’i sugjeroja që të lexojë dhe të përpiqet të kuptojë Manualin e Koncesioneve, që aksesohet lirshëm në faqen web të ATRAKO.
Hetuesit e BKH-së nuk e bënë në 4 vjet hetime, as prokurorët e çështjes nuk e bënë në 4 vjet hetime. Deri tani në dy vjet gjykim, gjyqtarët e GJKKO-së nuk e kanë bërë akoma.
I nderuar z. Beci,
Ne mbyllje diçka që nuk lidhet drejtpërdrejt me çfarë parashtrova më sipër.
Kam vënë re muajt e fundit, se, si opinionist për çështje penale, ju ftojnë në studio të ndryshme televizive. Derisa është kështu do të thotë se jeni i pranueshëm dhe i pëlqyeshëm. Studiot televizive janë pjesë e mediave si biznese private dhe linjat e tyre editoriale janë të pavarura. Por meqë frekuencat televizive ku transmetohen sinjalet e këtyre mediave janë pasuri publike shqiptare, unë si qytetar i këtij vendi e ndiej vehten bashkëzotërues i kësaj pasurie publike. Prandaj mendoj se kam të drejtën të shprehem lirshëm dhe hapur për çfarë dëgjoj dhe shikoj të transmetuar nga këto studio televizive.
Nga çfarë shprehët në talkshow-un për të cilin po flasim, rezulton se për ju është më i pranueshëm në diskurin publik një burg se sa një stacion treni. Të rrallë duhet të jenë njerëzit që midis një stacioni treni dhe një burgu, zgjedhin këtë të fundit. Mesa duket, në subkoshiencën tuaj paskeni mbetur prokurori i krimeve të rënda. Ushtrimi i profesionit të avokatit dhe studiot televizive duhet të shërbejnë që të shkëputeni nga prokurori, i cili për arsye të profesionit të tij, çdo ditë e fillon ditën e punës duke menduar për numrin dhe emrat e njerëzve të cilët duhet të akuzojë.
Duke ju falenderuar për leximin e sa më sipër,
Me respekt
Ilir Beqaj






