Ish-presidenti Bamir Topi ka komentuar situatën në PD. Në një intervistë televizive, ai deklaroi se ish-kryeministri Sali Berisha kthehet në krye të PD-së, duke shtuar se është tipik rasti klasik i kthimit për shkak të instiktit të mbijetesës.
Ai theksoi, se si Berisha ashtu edhe Basha po shkatërrojnë PD, ndërsa theksoi se një opozitë e fortë do të jetë nëse në të nuk janë Basha dhe Berisha.“Ne po merremi shumë me PD dhe kemi harruar të merremi me qeverinë. Koncepti i opozitës është shumë më i gjerë, kompleks.
Nuk është thjesht modifikim mekanik. Mendoj që duhet të kryhet kjo fillimisht. Epiqendra e opozitës është te PD. Nga rrugëdalja që do të ketë PD duhet të ketë një vizion tjetër se si e ndërton opozitën. Opozita është te njerëzit. Është te substanca gri. Kam aq vite atje e madje tani po takoj më shumë njerëz që kanë qenë dikur dhe s’janë më dhe nuk e shohin fare veten te partitë politike.
Suksesi i një opozitë që do të ndërtohet, do të jetë jo te ata që janë. Nuk e kam besën te ata. E kam besën te ata njerëz që kanë karakter, të mbështesin politikisht, pa kërkuar asgjë asnjëherë. Këta janë më shumë jashtë se sa brenda”, tha ai. Ndër të tjera, ai u shpreh se Berisha i ka bërë të ditura arsyet pse ka dal në skenë.“S’ka nevojë për transkriptim, është e qartë situata.
Berisha është kthyer për të marrë PD, padiskutim. S’më pëlqen të interpretojë se çfarë ka zoti Berisha në subkoshiencë. Ai ka bërë të ditura arsyet se pse ka dalë në skenë. Ne e dimë arsyen. Ne e dimë se bota biologjike funksionin mbi bazën e instiktive. Edhe në fushën politike, atje ku cenohet ekzistenca e llojit në politikë, futet edhe instinkti.
Në këtë rast kemi rastin klasik të kthimit për shkak të instinktit të mbijetesës. Gjatë rrugës, ai nuk u kthye që të marrë drejtimin e PD, por u kthye në një pozicion mbrojtës. Madje në fillim ishte i ndrojtur. Takimet e tij ishin të kufizuara, të zgjedhura. Shkoi atje ku kishte garanci te njerëzit”, tha Topi.