Deputeti i zgjedhur i Partisë Socialiste, Petro Koçi ka analizuar situatën brenda Partisë Demokratike, ndërsa ka lëshuar një lumë sulmesh, akuzash dhe kritikash në adresë të lidershipit demokrat, për shkak se nuk ka guxim të distancohet nga ish-kryeministri Sali Berisha.
Ky i fundit në 19 maj u shpall “non grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit dhe ndërkohë ka sfiduar hapur amerikanët, të cilët nuk e duan në Parlament, duke ua bërë të qartë se nuk ka njeri dhe fuqi madhore mbi tokë që e zbyth atë nga politika.
Por sa u takon këtyre zhvillimeve në kampin blu, dje ka folur edhe zoti Koçi, i cili përmes një statusi në rrjetet sociale theksoi se Berisha duhej të ikte nga politika qysh në vitin e mbrapshtë ‘97, ndërsa shtoi se ka ardhur koha që PD të distancohet nga kultura “Berishiste” dhe dhuna. Sipas tij, vendimi i SHBA për Berishën është mesazh i fortë që duhet lexuar nga demokratët e moderuar. “Berisha duhej të ikte nga politika qysh në ‘97-ën.
Këtë vonesë 23-24 vjeçare e ka paguar rëndë Shqipëria si edhe vetë PD-ja. Ajo ka mbetur nje parti e ngecur në kulturën Berisha të dhunës dhe të konceptit politik se nuk ka rëndësi mjeti për të arritur qëllimet. Partia Demokratike në raport me shtetin përdor sloganin “Në njërën dorë kazmën, në tjetrën pushkën”. Çlirimi i saj nga Berisha mund të krijojë kushtet për një ndryshim dhe reformim themelor.
Qëndrimi i SHBA duhet të shfrytëzohet nga segmentet me vizion ndryshe në PD”, shkruan ai. Më herët gjatë një reagimi për gazetën “SOT”, zoti Koçi theksoi se ka ardhur koha që ish-kryeministri Berisha të largohet nga politika. “Sali Berisha duhet të shporret nga politika. Ka dëmtuar rëndë shtetin dhe interesat kombëtare. Tani po shkelmon për hall të vet edhe interesat e PD”, nënvizoi socialisti Petro Koçi.