Për herë të parë Sali Berisha artikulon publikisht një përplasje të brendshme në kampin opozitar që reflekton krizën e besimit edhe brenda të tijëve. Berisha për herë të parë ka pranuar se Belind Këlliçi u ndihmua nga zv.kryeministrja Belinda Balluku në protestat kundër Erion Veliajt para Bashkisë së Tiranës.
Deklarata e Berishës u bë nga selia blu, ku zv.kryeministren Balluku të pandehur për tunelin e Llogarasë, e quajti si hajduten më të madhe në histori, por thotë se ndaj saj nuk do të bëjë protesta dhe flet për një luftë tjetër të brendshme, këtë radhë në kampin rozë.
Në fakt, protestat që Berisha thotë se nuk do të bëjë për Ballukun, mësohet se i kishte propozuar vetë Belind Këlliçi, në mbledhjen e kryesisë së PD-së, mbajtur me dyer të mbyllura një ditë më parë. Deputeti I Tiranës, mësohet se ka propozuar nisjen e protestave përpara Ministrisë së Infrastrukturës që drejton Belinda Balluku, njësoj siç protestat para Bashkisë së Tiranës. Por Berisha e refuzoi këtë ide të Këlliçit, dhe ashtu siç tha në konferencë këtë të martë, kërkon që aksioni politik të fokusohet kundër kryeministrit Rama.
Por, teksa komentonte Ballukun, Berishës i shpëtoi edhe kjo akuzë që fundos Këlliçin, duke thënë se zv.kryeministrja i përleu protestat e demokratëve duke sjellë njerëz nga zyra e saj kundër Veliajt.
“U bënë protestat kundër Veliajt, Belinda çonte njerëz nga zyrat e veta për të përlyer protestat. Po të shkojmë ne tek kjo për protestë, Elisa Spiropali nxjerr jashtë gjysmën e ministrisë së jashtme. Jo, nuk na duhet ne kjo. Nuk do nxjerrë kush gështenjat me duart tona. Ne do e kapim djallin për brirësh, të parin Edi Ramën.
Nëse Rama do të bëjë përgjegjësen kryesore Belindën, ai gënjen veten. Këtij do t’i kërkohet dorëheqja, por nuk e japin kurrë. Dy vetë nuk japin dorëheqje, ky dhe Atlin Dumani, po atij i përfundon afati. Se dhe ai është vegël e këtij”, tha Berisha.
Këtë Berisha e shprehu për herë të parë, pa i dhënë shumë zë, nëse ai ishte në dijeni që gjatë zhvillimit të protestave, se kjo po ndodhte, apo e mësoi në përfundim të tyre nëse deputeti i tij dhe drejtuesi politik i Tiranës ka vepruar pas krahëve.
Protestat 44 javore të nisura në fillim të 2024-ës, zgjatën deri në shkurt 2025, kohë kur nuk vonoi dhe erdhi arrestimi i kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj.
Akuzat që protestat e Këlliçit para bashkisë janë financuar nga Balluku janë artikuluar edhe herë të tjera, madje edhe nga ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj në intervistat dhënë tek televizioni i familjes Berisha.






